Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar të enjten se pacientët kosovarë të cilët iu nënshtrohen procedurës kirurgjike torakale nuk kanë pse të e bëjnë më këtë procedurë jashtë vendit, ku kostoja për këtë lloj shërbimi është 35 mijë euro.
Ai ka treguar se në sistemin publik për herë të parë mund të bëhet procedura e re kirurgjike VATS, raporton Katror.info.
“VATS është procedurë kirurgjike mini invazive, aktualisht është metoda që po zë vend kudo në intervenime ngase siguron cilësi në ndërhyrjet operative”, thuhet në njoftimin e bërë nga faqja zyrtare e ministrit Vitia në Facebook.
Ai po ashtu ka treguar se shpenzimet për këtë lloj trajtimi kanë qenë rreth 700 mijë euro në vit.
Kirurgjia torakale merret me deformime kongjenitale dhe tumore të fituara të kraharorit, veçanërisht stenozë (ngushtime) dhe tumore të rrugëve të frymëmarrjes./Katror.info