Kampioni i Kosovës, Ballkani do të nis sot (e enjte) ndeshjet e edicionit 2023/24 në Ligën e Konferencës.
Therandasit luajnë për të dytën herë me radhë në grupet e garës së tretë të klubeve evropiane dhe sot fillojnë aventurën drejt rishkrimit të historisë.
Ekipi i Ilir Dajës do të luajë në udhëtim te çekët e Viktoria Plzen, në ndeshjen e vlefshme për grupin C.
Ky takim pritet të zhvillohet në stadiumin “Doosan Arena” të Plzenit me fillim nga ora 21:00.
Përveç Ballkanit dhe Plzenit, në këtë grupet gjenden edhe Dinamo Zagrebi dhe Astana.
Trajneri Ilir Daja ka një ide të qartë rreth ndeshjes së sotme dhe ka në mendje 11-shen titullarë që pritet ta hedh në fushë ndaj Plzenit.
Daja pritet t’i bëjë disa ndryshime në formacion duke i dhënë një fanellë titullari sulmuesit anësor, Walid Hamidi, i cili shkëlqeu në dy ndeshjet e Superligës së Kosovës, me dy asistime pas inkuadrimit nga banka, shkruan Telegrafi.
Përveç tij në krahun tjetër të sulmit mund të luajë Bleart Tolaj, i cili shihet si favorit ndaj Almir Kryeziut dhe Ramush Ramadanit, ndërsa në maje të sulmit Albin Berisha ka më shumë gjasa sesa Arb Manaj.
Mesfusha do të jetë e pandryshuar me dyshen Edvin Kuc dhe Qëndrim Zyba, teksa Nazmi Gripshi do të jetë para tyre, lojtari që do t’i lidh repartet.
Në portë si gjithmonë pritet të startojë Enea Koliqi, së bashku me mbrojtjen e pandryshuar: Armend Thaqi, Lumbardh Dellova, Bajram Jashanica dhe Lorenc Trashi.
Formacioni i mundshëm i Ballkanit
Koliqi; Thaqi, Dellova, Jashanica, Trashi; Kuc, Zyba; Tolaj, Gripshi, Hamidi; Berisha;