Kampionia e Kosovës në basketboll, Peja, është eliminuar në çerekfinale të garës për Kupë.
Të mërkurën mbrëma në Gjakovë, Peja u mposht nga Bashkimi me rezultatin 73:64.
Ishte ndeshja e dytë rresht mes këtyre dy skuadrave dhe fitorja e dytë e prizrenasve. Në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës, Bashkimi e mposhti Pejën në Prizren me rezultat 84:78, javën e kaluar.
Tjetër ndeshje dramatike u zhvillua të mërkurën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Çereku i parë ishte thuajse i barabartë, ndërsa Bashkimi kishte epërsi 16:14 pas dhjetë minutave lojë. Në çerekun e dytë prizrenasit u shkëputën në rezultat dhe në pushim e gjatë shkuan me avantazh prej dhjetë pikëve, 36:26.
Peja e fitoi çerekun e tretë 22:16 për t’u afruar në rezultat. Pas 30 minutave lojë Bashkimi udhëhiqte 52:48. Me lojë të mirë pejanët vazhduan edhe në çerekun e katërt. E përmbysën rezultatin dhe ishin në avantazh 59:56 e 61:58.
Por në katër minutat e fundit Bashkimi sërish shfaqi më shumë. Altin Morina qëlloi një treshe me fat për 61:61 e më pas shënoi edhe gjashtë pikë rresht për epërsinë 67:61 të Bashkimit. Peja më nuk ia doli të afrohet në rezultat dhe festa e madhe në fund ishte për prizrenasit, shkruan Koha.net.
Erik Copes u dallua te Bashkimi me 16 pikë e nëntë kërcime. Samir Zekiqi kishte po ashtu ndeshje të madhe me 12 pikë e pesë kërcime. Will Daniels i kishte 13 pikë e nëntë kërcime, ndërsa kapiteni Morina ndeshjen e përfundoi me 13 pikë, tetë asistime e tri kërcime. Isaiah Umipig kontribuoi me 10 pikë e pesë kërcime.
Te Peja më i miri ishte Jetmir Zeqiri me tetë pikë e shtatë kërcime. Justin Davis u ndal në vetëm nëntë pikë e gjashtë kërcime, ndërsa nuk kryen punë as 12 pikët e Kwame Vaughn, nëntë pikët e Musab Malës dhe 11 pikët e Larry Thomasit.
Bashkimi të enjten e vazhdon garën për Kupë, me ndeshjen gjysmëfinale. Ndërkohë Peja tani do të fokusohet në mbrojtje të titullit dhe në garën në Ligën Ballkanike./Katror.info