KH Ferizaj është shpallur kampion i Superkupës së Kosovës, edicioni Izet Gjinovci.
Të shtunën pasdite në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Ferizaj mposhti Istogun pas gjuajtjes së penalltive.
Ferizajaset fituan me rezultat 36:34, ndërsa koha e rregullt prej 60 minutave përfundoi 32:32.
Ferizaj për herë të parë ka fituar Superkupën e Kosovës, ndërsa këtë vit e ka fituar edhe Kupën e Kosovës.
Sipas njoftimit të Federatës të Hendbollit të Kosovës, ky edicion i Superkupës i kushtohet Izet Gjinovcit, i cili ia kushtoi thuajse gjithë jetën zhvillimit të hendbollit kosovar. Për mbi dy dekada mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së.
Medaljet për hendbollistet e Ferizajt i ndanë kryetari FHK-së, Eugen Saraçini dhe nënkryetari Enis Idrizi. Presidenti Saraçini ia ndau trofeun e Superkupës kapitenes së Ferizajt, Aida Stagova./Katror.info