Filmi ‘Si e Verdhë e Sëmurë (2024)’ i regjisores Norika Sefës do ta ketë premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam – IFFR. Kështu bëri të ditur Qendra Kinematografike Kosovare përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“SI E VERDHË E SËMURË (2024) i regjisores tonë Norika Sefa, me producent Mentor Shala, bashkëproducent Besnik Krapi dhe Norika Sefa, do ta ketë premierën në festivalin ndërkombëtar të filmit në #Rotterdam, si pjesë e garës së kategorisë SHORT TIGER COMPETITION, ku sivjet garojnë gjithsej 21 filma”, thuhet në njoftimin e QKK-së.
“Sefa, fituese e Çmimit Special të Jurisë për filmin Në Kërkim të Venerës (IFFR 2021), po rikthehet në Festivalin e Rotterdamit për edicionin e 53-të të tij, me një histori magjepsëse të nxjerrë nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa gjithcka përzihet për t’u formuar diçka tjetër”.
“Jam tejet e lumtur që po shkojmë në festivalin e Rotterdamit, një festival që gjithmonë e ka çmuar dhe festuar kinemanë e guximshme! Po ndihem tepër me fat dhe e përmbushur që edhe një herë kam pasur mundësinë të punoj me njerëzit që u besoj dhe me të cilët ndajmë vizionin e poashtu edhe dashurinë e njëjtë për filmin” është shprehur regjisorja.”
“Filmi SI E VERDHË E SËMURË (23′) është realizuar me mbështetjen e #QKK dhe është prodhuar nga shtëpia filmike CMB. #IFFR do të nisë me datën 25 janar dhe do të vazhdojë deri me datën 4 shkurt”, thuhet tutje në njoftim./Katror.info