Një ekip kërkimor ka zbuluar një rreze kozmike me energji ultra të lartë që duket se nuk ka origjinë të qartë.
E quajtur sipas perëndeshës japoneze të diellit Amaterasu, kjo është një nga rrezet kozmike më energjike të zbuluara ndonjëherë, kanë theksuar shkencëtarët.
Grimca Amaterasu ka një energji më të madhe se 240 ekza-elektron volt (EeV) dhe është e dyta në historinë e regjistruar pas grimcës Oh My God, një tjetër rreze kozmike me energji ultra të lartë e zbuluar në vitin 1991, me një energji prej 320 EeV.
Origjina e grimcës është e panjohur, por ekspertët besojnë se vetëm ngjarjet më të fuqishme qiellore – më të mëdha se shpërthimi i një ylli – mund t’i krijojnë ato.
Toshihiro Fuji, një profesor i asociuar në Universitetin Metropolitan Osaka në Japoni, tha se ai mendoi se ishte një gabim kur zbuloi për herë të parë grimcën.
“Ajo tregoi një nivel energjie të paprecedentë në tre dekadat e fundit – tha ai.
John Matthews, një profesor hulumtues në Departamentin e Fizikës dhe Astronomisë në Universitetin e Utah, shpjegon se nuk kishte asgjë në fushën e energjisë së mjaftueshme për të prodhuar ngjarjen.
Dukej se buronte nga zbrazëtia lokale, një rajon i zbrazët i hapësirës në kufi me galaktikën e Rrugës së Qumështit.
“Ju duhet të jeni në gjendje të tregoni se nga vijnë ato nga qielli,” tha profesori Matthews.
Zbulimi i rrezeve kozmike është pjesë e rutinës së përditshme të punës së astronomëve në mbarë botën.
Dielli lëshon rryma grimcash energjike që teleskopët i identifikojnë si “zhurmë”.
Këto rryma klasifikohen si rreze kozmike me energji “të ulët”.
Sidoqoftë, rrezet kozmike me energji ultra të lartë (UHECR) janë një çështje krejtësisht e ndryshme. Zbulimi i UHECR është një dukuri jashtëzakonisht e rrallë dhe ngre shumë supozime.
Studiuesit janë ende të ndarë rreth burimit së këtij fenomeni, sepse asgjë në galaktikën tonë nuk është aq e fuqishme sa ta prodhojë atë.
Një rreze e ngjashme u zbulua në një eksperiment në vitin 1991.
Grimca e analizuar më pas, e quajtur “Oh Zoti im”, kishte më shumë energji sesa është teorikisht e mundur për rrezet kozmike që udhëtonin në Tokë nga galaktika të tjera. E thënë thjesht, një grimcë e tillë as që duhet të ekzistojë.
Nuk dihet se çfarë lloj grimce ishte, por shumica e rrezeve kozmike janë protone.
“Por në rastin e grimcës ‘Oh Zoti im’ dhe kësaj grimce të re, ju ndiqni rrugën e saj drejt burimit dhe nuk ka asgjë aq të fuqishme sa për ta prodhuar atë. Ky është misteri i saj — çfarë dreqin po ndodh?” tha John Matthews.
Zbulimi është edhe më i çuditshëm sepse rrezja thuhet se ka ardhur nga një rajon pothuajse bosh i hapësirës së thellë. Vrimat e zeza, shpërthimet e rrezeve gama dhe bërthamat aktive galaktike besohet se kanë të bëjnë me këto rreze, por ky është ende një supozim i debatuar. /Katror.info