Në dokumentarin “A Head Full of Dreams” (Koka plot ëndrra), Chris Martin deklaroi me guxim: “Ne, Jonny Buckland, Chris Martin, Will Champion dhe Guy Berryman, të njohur si Coldplay, do të jemi një grup shumë i madh dhe kjo do të transmetohet në televizionin kombëtar, brenda katër viteve. Sot është 26 qershor 1998. Deri më 26 qershor 2002, ne do të jemi grup i madh!
Dhe, çuditërisht, vetëm katër vjet e tre ditë më vonë, Coldplay kryesoi Glastonbury, ashtu siç ishte premtuar.
Kjo është një histori fantastike dhe frymëzuese për vendosmërinë dhe vizionin që Coldplay kishte që në fillimet e tyre. Deklarata e Chris Martin në dokumentarin “A Head Full of Dreams” tregon jo vetëm besimin e grupit në potencialin e tyre, por edhe përkushtimin për të arritur një ëndërr të madhe, shkruan Katror.info.
Fakti që ata arritën të kryesojnë Glastonbury vetëm katër vjet pas fillimit të tyre është një dëshmi e talentit, të punës së palodhur dhe aftësive për t’u lidhur me miliona njerëz përmes muzikës së tyre.
Coldplay u vlerësua gjithashtu për futjen e “një timbri të ri në shkrimin e këngëve” gjatë një periudhe kur muzika britanike “përpiqej të përcaktonte veten” dhe për sjelljen e tingujve të rrymës së zakonshme rock drejt diçkaje më të butë dhe më melodike.
Rishpikjet e tyre muzikore u mundësuan të shijonin suksesin në epokën e post-albumit, e cila ngadalë po kthehet duke zgjeruar listën e artistëve të frymëzuar prej tyre. Duke filluar si një degë e alt-rock-ut, duke u frymëzuar nga grupet si Radiohead, Muse dhe U2, Coldplay ngadalë, por me siguri, filloi të dominojë muzikën rock rreth fundit të shekullit të kaluar, me tekste tërheqëse megjithëse sipërfaqësore, por universale dhe zërin e talentuar të Chris Martin.
Janë edhe disa gjëra që ndikuan në suksesin e tyre. Së pari, formacioni i grupit nuk ka ndryshuar kurrë që kur u formuan në vitin 1997 – një arritje e jashtëzakonshme në vetvete, rrjedhimisht as formula e suksesit nuk u ndryshua duke mbajtur grupin larg eksperimenteve. Së dyti, ata i kanë qëndruar besnik besimit të tyre thelbësor se mirësia do të mbizotërojë gjithmonë. Pavarësisht se sa keq shkojnë gjërat, sado poshtë të bini, gjithçka do të bëhet më mirë. Himni i tyre, “Viva La Vida”, e kap në mënyrë të përsosur këtë etikë.
Kur Britpop (Oasis, Blur, Suede) po fillonte rënien e tij, u shfaq një brez i ri muzikantësh britanikë që ulën volumin e kitarave, prezantuan pianon dhe folën për dashurinë melankolike. Ishte fillimi i viteve 2000. Coldplay, Travis, Keane dhe Snow Patrol po shfaqeshin në krye të listave.
Nga të gjithë ata, vetëm Coldplay janë në gjendje të arrijnë audiencë të madhe sot, pjesërisht për shkak të vullnetit të tyre për të qenë një grup komercial Rock/pop.
Frontmeni Chris Martin dhe kitaristi Jonny Buckland u takuan në University College London (UCL) në shtator të vitit 1996. Në fillim të vitit të ardhshëm, ata filluan të shkruanin këngë së bashku. Shpejt më pas, basisti Guy Berryman iu bashkua grupit. Gjatë kësaj periudhe, ata regjistruan disa demo nën emrin “Big Fat Noises”, megjithatë ende nuk kishin një baterist. Në vitin 1998, Will Champion mori rolin e bateristit, duke u plotësuar formacioni që vazhdon të jetë i pandryshuar deri sot. Jo shumë kohë pas bashkimit, grupi dha performancën e tyre të parë nën emrin Starfish, në janar të vitit 1998. Vetëm disa javë më vonë, ata vendosën të ndryshojnë emrin në Coldplay. Në maj të atij viti, ata publikuan në mënyrë të pavarur EP-në e tyre të parë, “Safety”, e cila u financua nga miku i ngushtë i Chris Martin-it, Phil Harvey. Harvey jo vetëm që do të bëhej menaxheri i grupit, por edhe njihej shpesh si “anëtari i pestë” i Coldplay.

Pasi bëri pak bujë, Coldplay nënshkroi me shtëpinë e famshme të The Beatles, Parlophone, në vitin 1999 dhe publikoi albumin e tyre debutues “Parachutes” (Parashutet) në vitin 2000. Albumi prodhon hitin e tyre progresiv “Yellow” (Verdhë), i cili fitoi çmimin “Albumi Britanik i vitit” dhe një Grammy për “Albumin më të mirë alternativ”. Vazhduesi tij, “A Rush of Blood to the Head” (Një nxitim gjaku në kokë) i vitit 2002, u prit me të njëjtin vlerësim kritik, dhe më pas, në vitin 2005, u publikua X&Y, duke përmbyllur një trilogji të suksesshme.
Ndërsa Coldplay ishte një fenomen masiv në atë kohë, albumi i vitit 2008, “Viva la Vida or Death and All His Friends” (Jetoje jetën ose Vdekja dhe të gjithë miqtë e tij), i çoi ata në lartësi të reja. Kënga kryesore “Viva la Vida” (Jetoje jetën) kryesoi njëkohësisht Billboard Hot 100 dhe UK Singles Chart, duke u bërë e para këngë që arriti këtë sukses në shekullin XXI.
Që atëherë, Coldplay ka vazhduar të fitojë vlerësime të gjera dhe të mbushë stadiumet në mbarë botën me albume të tilla si “Mylo Xyloto” i vitit 2011, “Ghost Stories”, (Histori fantazmash) i vitit 2014 dhe “Music Of The Spheres” (Muzika e sferave) e vitit 2021. Duke vazhduar të zgjerojnë dhe zhvillojnë tingullin e tyre me çdo publikim, krijimtaria e tyre ka përfshirë një gamë të gjerë zhanresh, nga indie rock te electronica, gospel dhe progrock.
Qoftë origjina e tyre e pavarur, zhvillimi artistik apo përkushtimi i tyre ndaj kauzave të drejta, të gjitha këto, në pamje të parë, tingëllojnë si vepër e legjendave të padiskutueshme. Megjithatë, Coldplay mbetet një nga grupet më polarizuese të të gjitha kohërave.
Ndërsa Coldplay janë jashtëzakonisht të suksesshëm dhe kanë fituar lëvdata për përpjekjet e tyre jashtë muzikës, ata janë përballur edhe me mospëlqim. Pjesa më e madhe e kësaj kritike mund të lidhet me atë periudhë të çuditshme, vanilje për muzikën e kitarës në agimin e mijëvjeçarit të ri, kur fantazma e Britpop-it ishte ende e pranishme dhe muzika, bashkë me kulturën, prisnin një rivendosje. Termat si “e butë”, “rrëqethëse” dhe “klishe” janë tre nga akuzat që shpesh u janë adresuar.

Me pak fjalë, Coldplay ishin thjesht tepër “të këndshëm” dhe mjaft të butë për të mos krijuar një energji të re kulturore. Gjithsesi, paraqitja e tyre ndikoi që të shfaqeshin shumë grupe me orientim të ngjashëm muzikor, të cilat gjithashtu përballeshin me akuza për qasje të ngjashme.
Në vitin 2000, Alan McGee, kreu i famshëm i Creation Records, e përshkroi Coldplay si “muzikë e lagur në shtrat”. Ky epitet do të lidhej më vonë me grupe të tjera rock të buta, si Snow Patrol, Athlete, dhe Keane. Në një shfaqje të qetë dhe të vendosur të integritetit artistik, Jonny Buckland iu përgjigj këtij komenti duke thënë: “Ne po përpiqemi të jemi ata që jemi.. Të pretendosh të jesh ‘pak i çmendur’ do të ishte thjesht e trishtuar.”
Martin dhe pjesa tjetër e grupit janë, pa dyshim, kompozitorë të jashtëzakonshëm. Meloditë e tyre të thjeshta, por efektive, depërtojnë në zemrat dhe mendjet e masave. Për më tepër, Bono Vox nga U2, njeriu që shpesh përmendet si paraardhësi shpirtëror i Chris Martin – ka miratuar publikisht Coldplay, duke i quajtur ata “shumë më interesantë se muzika rock”.
Edhe pse Coldplay tani janë larguar nga rock-u tradicional për të eksploruar prirje të mëdha pop, komentet e Bono-s, të bëra përpara paraqitjes së tyre si kryesues në Glastonbury 2024, flasin shumë për rëndësinë e tyre në skenën muzikore. Bono pat thënë. “Duhet të përmend që Coldplay nuk janë grup rock. Shpresoj se kjo është e qartë. Aty po ndodh diçka shumë më interesante, si Isley Brothers në vitet e ‘50-a apo diçka e ngjashme. Ata nuk duhet të gjykohen nga rregullat e rockut. Buntii është lumi që rrjedh nën shumicën e formacioneve rock. Muzika e Coldplay ka një burim tjetër dhe mendoj se zbulohet më së miri në këngën “Clocks”, pat thënë Bono Vox.
Mick Jagger, këngëtari i Rolling Stones më 2022 publikoi një video në llogarinë e tij në Instagram, ku shfaqet në tribunën e sipërme të stadiumit Wembley të Londrës, duke tundur krahët nën tingujt e himnit të Coldplay “Fix You”, ashtu si 80,000 tjerë në audiencë. Imazhi ishte befasues. “Jagger duke dëgjuar “Fix You” në Wembley dhe duke i mbajtur lotët larg,” tha dikush në Twitter me ironi, duke iu referuar efektit vajtues të dëgjimit të këngës.”
Shumë kritikë dhe përcjellës të muzikës nuk i durojnë fort. Disa vite më parë, The New Yorker botoi një artikull të titulluar “Pse nuk më pëlqen Coldplay” dhe kritiku i The New York Times, Jon Pareles, la këtë frazë për historinë: “Grupi më i padurueshëm i dekadës”.
Alexis Petridis, kritik muzikor për gazetën britanike The Guardian dhe një nga specialistët më me ndikim të muzikës pop në Evropë, e përfundon analizën e tij të furishme mbi albumin e fundit të grupit Music of the Spheres (2021) me këtë kritikë: “Duhet të ketë më shumë mënyra të denja për të qëndruar në krye të suksesit.” Sipas teorisë së tij, kuarteti është i fiksuar pas suksesit dhe, pas disa rrëshqitjeve komerciale në të kaluarën, ka vendosur të luajë në mënyrë të sigurt, duke u bazuar te numrat. Ata përzgjodhën artistët me më shumë ndjekës në mediat sociale dhe dëgjues në platforma muzikore dhe u përpoqën t’i përfshijnë në album. Kështu shpjegohet prania e Selena Gomez dhe yjeve koreane të popit BTS në duete me ta.
Kjo është një teori interesante, që pasqyron kritika të ngjashme të shprehura nga Alfonso Cardenal, drejtues i programit muzikor Sofá Sonoro në rrjetin radiofonik spanjoll Cadena SER. “Coldplay është një grup që fillimisht synonte një drejtim të pavarur, por suksesi i papritur i albumit të tyre të parë (Parachutes, 2000) i shndërroi ata në yje, dhe ata vendosën të qëndrojnë atje duke bërë pop komercial. Radiohead pati të njëjtën mundësi pas suksesit të madh të ‘Creep’, por zgjodhi eksperimentimin,” thotë Cardenal.
“Parachutes”, “A Rush of Blood to the Head” dhe madje edhe “X&Y / Viva La Vida” ishin plot premtime. Coldplay filluan si adhurues të Radiohead, me Chris Martin që shpesh citonte këngët e Thom Yorke dhe Radiohead në intervista. Më vonë, ata u zhvilluan duke treguar sesi do të tingëllonte Radiohead nëse do të mbështeteshin tek “Creep” dhe “High & Dry”, në vend që të përpiqeshin të zgjeronin kreativitetin dhe të eksperimentonin.
Suksesi i albumeve të para duhej të shkaktonte një “revolucion kulturor” të ngjashëm me “Grunge”-in amerikan në fillim të viteve ’90 ose si “Britpop”-i britanik pak më vonë. Kjo nuk ndodhi, dhe ky është i vetmi “faj” i Coldplay, pavarësisht gjithë talentit dhe fuqisë së tyre krijuese. Coldplay ka prekur zemrat dhe mendjet e njerëzve, por nuk ka prekur atë nervin kritik që kërkon ndryshime përmes muzikës. Nuk ka arritur të gjenerojë energjinë që vë masat në lëvizje dhe të adresojë dukuritë e brezit të ri në reflektim kritik. Ajo që kritikët e Coldplay e shohin të bezdisshme në lidhje me muzikën e grupit është teprica e pozitivitetit, këngët e kompozuara për t’u luajtur në stadiume, meloditë e ëmbla deri në tepri, atmosferat e imponuara dhe mungesa e imagjinatës.
Madje, ekziston edhe thënia se Coldplay është “muzikë perfekte për dasma me muzikë indie për njerëzit që nuk pëlqejnë indie”.
Lanre Bakare, korrespondent i artit dhe kulturës në The Guardian, shprehet se disa njerëz kanë problem me Coldplay për shkak të perceptimit të tyre si një grup tepër komercial.
“Ata që kërkojnë muzikë më sfiduese shpesh largohen për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm të Coldplay. Po ashtu, tendenca e grupit për sentimentalizëm mund të mos pëlqehet nga të gjithë. Megjithatë, e vërteta është se publiku masiv kërkon muzikë që pasqyron uljet dhe ngritjet e jetës së tyre, dhe këngët e Coldplay janë ideale për këtë,” thotë ai.
Megjithatë, Coldplay konsiderohen si një nga grupet më me ndikim të shekullit të 21-të, me një numër të konsiderueshëm artistësh të frymëzuar prej tyre. Ata kanë krijuar “një trashëgimi të pasur në shumë zhanre,” duke ndikuar në një sërë muzikantësh, si ata të zakonshëm ashtu edhe indie, në mbarë botën.
Ata vetë kanë pranuar ndikimin nga artistë si Pink Floyd, Jeff Buckley, Bob Dylan, Nick Cave, etj. Guy Berryman basisti i grupit është frymëzuar nga artistë si James Brown, Marvin Gaye, Kool & the Gang dhe The Funk Brothers. Ai ka thënë se shija e tij muzikore është e vështirë për t’u përmbledhur, por se nuk mund të jetonte pa Beatles. Coldplay i bëri homazhe Beatles në ndarjen e çmimeve Grammy, duke pranuar se kishin kopjuar sensin e tyre të modës. Grupi zbuloi se xhaketat e tyre me ngjyra të ndezura dhe stil ushtarak ishin frymëzuar nga kopertina e albumit “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band” nga Beatles.
“Kjo është e pabesueshme,” tha bateristi Will Champion, kur iu dha çmimi Kënga e Vitit për “Viva La Vida.” “Së pari, do të doja t’i them faleminderit dhe të kërkoj falje Sir Paul McCartney-t për riciklimin e hapur të veshjeve të Sgt. Pepper-it. Më fal, shef.” Me fitimin e çmimit Rock i Vitit për albumin e tyre “Viva La Vida Or Death And All His Friends,” frontmeni Chris Martin i bëri sërish homazh McCartney-t. “Faleminderit shumë! Ne kurrë nuk kemi pasur kaq shumë Grammy në jetën tonë, padyshim, Paul (McCartney) ka pasur më shumë,” tha ai.
Pavarësisht nga popullariteti dhe ndikimi i tyre, grupi fitoi një reputacion si ikonë kulturore, duke tërhequr kritika po aq sa lavdërime nga publiku dhe kritikët muzikorë gjatë gjithë karrierës së tyre.
Por një gjë është e sigurt: Coldplay është grupi më i madh Rock/pop i momentit. Askush nuk mund të rivalizojë numrat e koncerteve të tyre. Gjatë turneut të fundit (2022-2025) për albumin “Music of the Spheres”, në 225 shfaqje janë shitur më shumë se 10 milionë bileta.
Grupi ka marrë vlerësime të shumta gjatë karrierës, duke u bërë grupi më i vlerësuar dhe i nominuar i të gjitha kohërave në Brit Awards, me nëntë fitore nga 30 nominime. Ata janë grupi i parë që ka fituar ndonjëherë çmimin Albumi Britanik i Vitit tre herë dhe çmimin Grupi Britanik katër herë, duke shënuar më shumë nominime për të dyja kategoritë. Coldplay kanë fituar gjithashtu shtatë çmime Grammy nga 39 nominime. Në janar të vitit 2009, ata morën një çmim NRJ (Radiostacionet Françeze) të Nderit, në njohje të arritjeve dhe ndikimit të tyre në karrierë.
Grupi u emërua më pas Kantautorët e Vitit në ASCAP London Music Awards, pasi kishte marrë më parë të njëjtin nder nga Ivor Novello Awards në vitin 2003. Kënga e tyre “Atlas”, e cila u publikua si pjesë e kolonës zanore të filmit “The Hunger Games: Catching Fire”, u nominua për Çmimet e 19-ta të Zgjedhjes së Kritikëve dhe u rendit në listën e ngushtë për çmimet e 87-ta të Academy Awards.
Në vitin 2014, Coldplay u rendit si grupi i gjashtë më i vlerësuar i të gjitha kohërave nga Fuse. Dy vjet më vonë, grupi u zgjodh për çmimin NME Awards’ Godlike Genius Award, i cili nderon “karrierën e ikonave të muzikës që kanë qenë pionierë në industri”. Ata kanë fituar dy American Music Awards, nëntë çmime Billboard Music, shtatë çmime MTV Video Music, tre çmime Juno, si dhe dy çmime të argjendta në Festivalin Ndërkombëtar të Krijimtarisë në Cannes Lions. Për më tepër, ata kanë vendosur 15 Rekorde Botërore Guinness, duke mbajtur aktualisht 10 prej tyre.
Coldplay dhurojnë 10% të të gjitha fitimeve të tyre për bamirësi. Fondi menaxhohet në një llogari bankare, në të cilën asnjë nga anëtarët e grupit nuk ka qasje. Aktualisht, ata mbështesin më shumë se tridhjetë organizata duke përfshirë Amnesty International, Migrant Offshore Aid Station dhe Global Citizen Festival.
Ndoshta albumet e tyre nuk do të kenë ndonjë peshë historike, por ato janë shitur në një sasi prej më shumë se 100 milionë kopjesh, një shitje e paimagjinueshme për grupet e shekullit të 21-të. Prandaj, për të gjithë ata që adhurojnë këngën e bukur dhe një spektakël të jashtëzakonshëm live, nëse ndodhen brenda një rrezeje prej 200 kilometrash nga ndonjë koncert i Coldplay, e keni një këshillë, Coldplay janë shumë të mëdhenj për t’u injoruar./Katror.info
Përgatiti:
