Inteligjenca e përgjithshme artificiale (AGI) do ta kalojë inteligjencën njerëzore pothuajse në të gjitha fushat në 10 vjet, sipas CEO të korporatës japoneze të investimeve SoftBank, Masayoshi Son.
“Është e gabuar të thuhet se inteligjenca artificiale nuk mund të jetë më e zgjuar se njerëzit, sepse ajo u krijua nga njerëzit. Tani mëson vetë, stërvitet dhe nxjerr përfundime vetë, ashtu si qeniet njerëzore”, theksoi Son, sipas CNN.
Duke folur në konferencën e korporatës SoftBank World, ai parashikoi se në të ardhmen, AGI do të jetë dhjetë herë më inteligjente se shuma e gjithë inteligjencës njerëzore, përcjell Katror.info.
Son ka folur më parë për potencialin e AGI, duke përdorur zakonisht termin “singularitet”, për të transformuar biznesin dhe shoqërinë, por kjo është hera e parë që ai jep një afat kohor për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Drejtori i Përgjithshëm i SoftBank është i prirur të bëjë pretendime radikale në lidhje me ndikimin transformues të teknologjive të reja. Parashikimet e tij për internetin celular janë realizuar kryesisht, ndërsa ato për Internetin e Gjërave (IoT) jo.
Sipas Tech Target, inteligjenca e përgjithshme artificiale (AGI) është një lloj inteligjence artificiale e krijuar për të kryer çdo detyrë intelektuale që një njeri mund të kryejë. AGI gjithashtu mund të gjejë një zgjidhje vetvetiu kur përballet me një detyrë të panjohur./Katror.info