Një përbërës natyral kundër kërpudhave, i prodhuar nga karrotat, mund të ndihmojë në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, sipas një studimi të ri.
Megjithëse kërkimi është bërë vetëm te minjtë, rezultatet premtojnë për trajtime të mundshme natyrale kundër diabetit.
Studiuesit në Universitetin e Danimarkës Jugore (SDU) zbuluan se dy përbërës bioaktivë të karrotave, falcarinol dhe falcarindiol, ndihmojnë në përmirësimin e mikrobiomës së zorrëve, përfshirë speciet që ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak.
Karrotat, përveç rritjes së baktereve të shëndetshme, mund të sjellin përfitime për personat me diabet të tipit 2, shkruan Good News Network, transmeton Katror.info.
Një mikrobiomë e shëndetshme ndihmon në tretjen e fibrave, prodhimin e acideve yndyrore të dobishme dhe rregullimin e metabolizmit.
Në një studim 16-javor, minjtë e ushqyer me pluhur të tharë nga karrotat treguan përmirësime në ekuilibrin e baktereve dhe në rregullimin e sheqerit në gjak.
Përbërësit bioaktivë falcarinol dhe falcarindiol prodhohen nga karrotat për t’u mbrojtur nga infeksionet kërpudhore dhe gjenden gjithashtu te të afërmit e tyre si pastinaku, kopra dhe majdanozi. Këta fitonutrientë janë një nga shumë përbërësit natyralë që ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të njerëzve që konsumojnë perime.
Studiuesit po përpiqen të sigurojnë financime për studime te njerëzit, për të parë nëse efektet e vërejtura te minjtë mund të përsëriten dhe për të identifikuar varietete të karrotave me përmbajtje më të lartë të këtyre përbërësve. /Katror.info
Përgatiti:
