Ka shumë suplemente të rëndësishme që i ndihmojnë njerëzit me mangësi specifike ose kushte të caktuara shëndetësore, por hulumtimet tregojnë se disa vitamina sintetike mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi.
Kjo do të thotë se disa njerëz nuk kanë nevojë që t’i plotësojnë të gjitha vitaminat.
Walter Willett, një profesor i epidemiologjisë dhe ushqyerjes në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit, tregon se si ai nuk e sugjeron përdorimin e suplementeve të vitaminave nëse nuk ka një arsye specifike për ta bërë.
Këto këshilla janë veçanërisht të rëndësishme për vitaminat e tretshme në yndyrë.
Vitaminat e tretshme në ujë dhe të tretshme në yndyrë
Lëndët ushqyese të tretshme në ujë dhe të tretshëm në yndyrë absorbohen ndryshe në trup.
Vitaminat e tretshme në ujë, të cilat përfshijnë vitaminën C dhe të tetë vitaminat B, treten, përpunohen dhe metabolizohen shpejt në trup dhe nuk ruhen për përdorim të mëvonshëm.
“Sasi të tepërta të vitaminave të tretshme në ujë ekskretohen në urinë”, shpjegon për National Geographic Alice Lichtenstein, drejtoreshë e ekipit të ushqyerjes kardiovaskulare në Qendrën Kërkimore të Ushqyerjes Njerëzore Jean Mayer USDA mbi plakjen në Universitetin Tufts.
Nga ana tjetër, lëndët ushqyese të tretshme në yndyrë – vitaminat A, D, E dhe K – ruhen në mëlçi dhe indin dhjamor (yndyrë) në të gjithë trupin për përdorim në të ardhmen. Edhe pse kjo ndihmon në grumbullimin e vitaminës D gjatë diellit të verës për të kompensuar ekspozimin e pakët gjatë dimrit, kjo gjithashtu do të thotë që këto vitamina mund të grumbullohen në nivele potencialisht toksike.
Ekzistojnë disa udhëzime për sigurinë e nivelit të sipërm të tolerueshëm të marrjes (UL) që ofrohen nga Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë për të treguar sasinë maksimale të disa vitaminave që mund të konsumohen në mënyrë të sigurtë pa efekte negative shëndetësore.
Për këtë arsye vitaminat e tretshme në yndyrë priren të kenë UL më të ulët në krahasim me vitaminat e tretshme në ujë, duke theksuar nevojën për kujdes kur i konsumojmë.
Midis katër vitaminave të tretshme në yndyrë, ekspertët thonë se vitaminat A dhe E kërkojnë më shumë kujdes se të tjerët. /Katror.info