Shkencëtarët amerikanë kanë gjetur një mënyrë për të shkatërruar ‘kimikatet e përjetshme’ toksike, të cilat quhen kështu për shkak të kohës që marrin për tu zbërthyer në natyrë.
Kimikatet, të njohura gjithashtu si komponimet PFAS, përdoren për paketime të ushqimit, tekstile dhe kozmetikë. Për shkak se këto kimikate kurrë nuk prishen plotësisht, ato grumbullohen në mjedis dhe në njerëz. Disa studime madje i kanë lidhur ato me kancerin.

Kimistët në Universitetin Northwestern, Illinois, duket se kanë arritur të pamundurën. Duke përdorur reagentë të lirë (substanca që shkaktojnë një reaksion kimik), ata kanë zhvilluar një proces përmes të cilit shkatërruan dhjetë kimikate PFAS, shkruan Positive News.
“Është emocionuese për shkak se sa e thjeshtë është zgjidhja jonë,” tha William Dichtel i universitetit, i cili drejtoi studimin. Megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë. Rreth 12,000 komponime PFAS janë identifikuar vetëm në SHBA.