Gjatë Ekspozitës së 17-të të Hekurudhave Moderne në Pekin, kompania shtetërore CRRC zbuloi trenin e saj më të ri me levitacion magnetik (maglev), nuk prek hekurudhën, i cili pritet të arrijë shpejtësinë prej 600 km/h, duke u bërë një nga trenat më të shpejtë në botë dhe më i shpejti në Kinë. Ky model inovativ përdor rrota gome deri në 150 km/h, përpara se të kalojë automatikisht në levitacion magnetik, çka eliminon fërkimin me shinat dhe rrit ndjeshëm efikasitetin,percjell TAR.
Sipas projektuesve, koha e udhëtimit mes Pekinit dhe Shangait do të reduktohet nga 5 orë e gjysmë në vetëm 2 orë e gjysmë. Teknologjia e përdorur ka përfshirë inxhinieri gjermane, ndonëse Kina paraqitet si lider i projektit. Trenat maglev, përveç shpejtësisë ekstreme, dallohen edhe për ndotjen minimale dhe efikasitetin energjetik, duke sfiduar madje edhe fluturimet ajrore në distanca të mesme.
Ndërkaq, ju mund të hipni në një tren në Londër dhe të mbërrini në Nju-Jork vetëm 54 minuta më vonë. Ky projekt futuristik, i njohur si Tuneli Transatlantik, mund të bëhet realitet falë teknologjisë së avancuar të trenave magnetikë dhe tuneleve me vakum. Kjo ide revolucionare ka tërhequr vëmendjen e inxhinierëve, shkencëtarëve dhe madje edhe sipërmarrësve të njohur si Elon Musk. Ideja e një tuneli që lidh Britaninë me Shtetet e Bashkuara nuk është e re. Që në vitin 1895, Michel Verne, djali i shkrimtarit të famshëm Jules Verne, shkroi një histori rreth një ekspresi të së ardhmes që do të lidhte këto dy vende. /Katror.info