Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Shtetërore të Turqisë, Uğur Ünal, vizitoi Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku u takua me drejtorin e përgjithshëm të Arkivit Shtetëror të Kosovës, Bislim Bislimi.
Ndër të tjera u bisedua për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet dy arkivave, ndërsa u tha se dihet që arkivi osman përmban material të shumta edhe për Kosovën dhe se ka shumë të interesuar nga Kosova që bëjnë hulumtime të rregullta në arkiv.
“Historia e një populli janë arkivat, mirëpo ajo kujtesë historinë dhe gjeografinë e atij populli e merr shumë hapur për diskutim. Dihet se arkivi osman përmban dokumente të shumta dhe për Kosovën. Po flasim për një institucion i cili ka mbi 1milion dokumente dhe me kolegun tim do të bisedojmë për shqyrtimin dhe shkëmbimin e përvojave tona dhe aktiviteteve”, ka thënë Ünal.
Ndërkaq Bislim Bislimi, drejtori i Përgjithshëm i ASHAK-ut ka thënë se bashkëpunimi do të shtrihet në çështje të ndryshme rreth arkivistikës.
“Konsolidimi i një sistemi shumë më të shpejtë, natyrisht si shkak i kërkesave dhe nevojave por edhe historisë. Ne do të kërkojmë mbështetje edhe nga Republika e Turqisë në sferën e digjitalizimit të materialeve arkivore e cila pastaj do ta bëj shumë më efikase, më të shpejtë realizimin e të drejtës qytetare për qasje përmes dokumenteve arkivore”, ka thënë ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë, Uğur Ünal, do të vazhdojë takimet edhe me udhëheqës të institucioneve të rëndësishme kulturore dhe politike./Katror.info