Edhe pse kjo duket si një formalitet i zakonshëm, ndryshimi i orës ndikon dukshëm në jetën e përditshme
Nga gjumi dhe përqendrimi, te humori dhe produktiviteti, trupi ynë reagon ndaj prishjes së ritmit natyral. Në vend të një ore më shumë pushim, shpesh përballemi me lodhje, nervozizëm dhe rënie të energjisë.
Prej vitesh në Evropë diskutohet për heqjen e kësaj praktike, por ajo ende mbetet në fuqi dhe zbatohet dy herë në vit, pranverë dhe vjeshtë, me arsyetimin se drita e ditës shfrytëzohet më mirë. Në realitet, ky ndryshim shpesh sjell më shumë shqetësime sesa përfitime, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit që e kanë më të vështirë përshtatjen.
Ekspertët paralajmërojnë se efektet nuk duhen nënvlerësuar dhe këshillojnë që secili të përgatitet gradualisht për këtë tranzicion, në mënyrë që ndikimi në organizëm të jetë sa më i lehtë.
Kur ndryshon ora?
Në vjeshtën e vitit 2025, orët do të kthehen pas më 26 tetor, të dielën në ora 03:00 të mëngjesit, atëherë akrepat kthehen një orë pas, në 02:00.
Praktikisht fitojmë një orë më shumë gjumë, por humbim një pjesë të dritës së ditës. Dhe ndërsa shumica mendojnë: “mirë, fle më gjatë”, pasojat e kësaj ndryshimi shpesh nënvlerësohen – nga lodhja deri te ndjesia se dita është shumë e shkurtër.
Pse bëhet ky ndryshim?
Edhe pse prej kohësh diskutohet për heqjen e tij, ndryshimi i orës ende zbatohet dy herë në vit, me arsyetimin se drita e ditës shfrytëzohet më mirë. Por në praktikë, më shumë dritë në mëngjes nuk do të thotë më pak lodhje pasdite, shkruan Telegrafi.
Pasojat që shpesh i injorojmë
▪ Çrregullim i bioritmit, sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit.
▪ Përgjumje dhe ulje të përqendrimit.
▪ Rrezik më i madh për gjendje depresive për shkak të errësirës më të hershme.
▪ Ndryshime në oreks dhe në cilësinë e gjumit.
5 gjëra që gjithmonë i harrojmë
▪ Ora në furrë, në makinë ose në mur nuk ndryshohet vetë.
▪ Ndihemi “të çuditshëm” për disa ditë pas ndryshimit, pa e kuptuar pse.
▪ Fëmijët e kanë më të vështirë përshtatjen se të rriturit.
▪ Produktiviteti bie në javën e parë.
▪ Shumë besojnë se kjo praktikë do të hiqet, por ende nuk është.
Si të përshtatemi më lehtë
▪ Filloni të rregulloni orarin e gjumit disa ditë më herët.
▪ Dilni në dritë natyrale në mëngjes, edhe kur është me re.
▪ Mos planifikoni angazhime të rëndësishme menjëherë të hënën.
▪ Mbani rutinë – trupi e do parashikueshmërinë.
Ndryshimi i orës në vjeshtë shpesh shihet si një formalitet teknik, por në fakt ndikon në ritmin e përditshëm. Trupi reagon ndaj errësirës më të hershme, ndryshimit të aktiviteteve dhe ndjesisë së “moskoordinimit” me kohën.
Lodhja, nervozizmi dhe rënia e përqendrimit nuk janë shenjë dobësie, por një reagim i natyrshëm ndaj ndryshimit të ritmit. Prandaj është e rëndësishme të mos i nënvlerësojmë këto efekte, por t’i pranojmë dhe t’i menaxhojmë me kujdes, përmes rutinës, ekspozimit në dritë dhe durimit ndaj trupit tonë. /Katror.info