Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se synon ta themelojë qeverinë e re gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai shtoi se pas betimit të deputetëve të rinj, do të zgjidhen organet e kuvendit, dhe do të votohet edhe për qeverinë e re.
Gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) për Fitër Bajram, kreu i ekzekutivit u pyet nga myftiu Naim Tërnava nëse “pushuan pas zgjedhjeve” të fundit, duke treguar se pas certifikimit të rezultateve, kuvendi do të mblidhet në seancën konstituive, shkruan Albanian Post.
“Pasi u publikuan rezultatet, do të mbahet një seancë ku do të japim betimin. Synojmë që në të njëjtën seancë të zgjidhen edhe kryetari, kryesia dhe qeveria, ashtu siç e kemi bërë edhe herën e kaluar, në të njëjtën ditë”, deklaroi të dielen kryeministri Kurti.
Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga momenti i përmbylljes së procesit të certifikimit të rezultateve. Pas zgjedhjes se kryekuvendarit, i cili propozohet nga grupi më i madh parlamentar, legjislatura e sapoformuar do të ketë përpara detyrën e saj të parë të mandatit – zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të ftojë partitë parlamentare në konsultime për të identifikuar shumicën parlamentare dhe për të propozuar kandidatin për kryeministër, i cili ka afat 15 ditë për të paraqitur para deputetëve përbërjen e qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 42.30 për qind, duke siguruar 48 ulëse në legjislaturën IX. Por, ky rezultat nuk i mjafton për të qeverisur e vetme, duke e detyruar partinë e drejtuar nga kryeministri Kurti të kërkojë partnerë koalicioni, ngase për formimin e qeverisë së re, janë të nevojshme 61 nga 120 vota në Kuvendin e Kosovës.
E nëse qeveria e propozuar dështon të marrë shumicën e votave të nevojshme, presidentja e vendit brenda 10 ditëve fillon një raund të ri konsultimesh me partitë dhe nominon një kandidat të ri për kryeministër. Nëse edhe kandidati i dytë dështon t’i marrë votat e shumicës, shefja e shtetit shpërndan kuvendin dhe shpall zgjedhjet e reja./Katror.info