Pjesëmarrja e klubeve kosovare në garat evropiane, veçanërisht në Ligën e Konferencës, po shihet si një hap i rëndësishëm në afirmimin e futbollit të vendit tonë.
Suksesi në arenën ndërkombëtare jo vetëm që rrit imazhin e klubeve, por ndikon edhe pozitivisht në koeficientin e Kosovës në UEFA.
Analistët dhe gazetarët sportivë theksojnë se përveç prestigjit, pjesëmarrja në Evropë sjell edhe përfitime financiare të konsiderueshme për klubet.
Trajneri dhe analisti Ajet Shosholli thotë për KosovaPress se për shkak të pjesëmarrjes në garat evropiane, futbolli i Kosovës tashmë është i renditur më lartë në UEFA se sa vendet e regjionit.
Sipas analistit Lulzim Shala, klubet – me paraqitjet e tyre në Evropë – po e mbushin edhe arkën e tyre dhe kështu po kalojnë në një nivel tjetër edhe në aspektin e stabilitetit financiar.
Megjithatë, gazetari i sportit, Bujar Mehmeti, konsideron se klubet kosovare nuk e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme daljen në Evropë. Sipas tij, ato kanë mundur të bëjnë edhe më shumë.
Në këtë edicion – megjithëse rrugëtimi i futbollit kosovar në Evropë nisi me katër skuadra – ka mbetur vetëm Drita e cila ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, aty ku do të ballafaqohet me skuadra si Rayo Valecano, Az Alkmaar, Shkëndija, Shelbourne, Omonia dhe KuPS KUOPIO./KP