Nis këtë të Mërkurë në Venecia, një prej festivaleve më prestigjozë të filmit në botë që mban emrin e qytetit.
Festivali i këtij viti shënon 80-vjetorin e këtij eventi, që në fakt përballet me vështirësi si rrallë herë. Mungojnë shumë filma hollivudianë që ishin parashikuar të shfaqeshin, për shkak të grevës së paprecedentë që kanë nisur shumica e aktorëve dhe skenaristëve të filmave.
Për këtë arsye, figurat më të famshme të kinematografisë do t’i mungojnë këtë vit, festivalit, por të pranishëm do të jenë emra si Bradley Cooper, Yorgos Lanthimos, David Fincher, Michael Mann, Sofia Coppola, etj, të cilët janë në garë për Luanin e Artë.
Fincher vjen me filmin “The Killer”, një thriller që tregon historinë e një vrasësi të pamëshirshëm të luajtur nga Michael Fassbender. Ndërsa Cooper sjell filmin “Maestro”, ku vetë ka rolin e protagonistit, kompozitorit Leonard Bernstein. Një tjetër prodhim është “Priscilla” i Sofia Kopolas, bazuar në kujtimet e gruas së Elvis Presley-t, me aktore Kejlli Spejni.
Një tjetër film biografik i pritur me padurim është “Ferrari”, me regji të Mann, ku shfaqet Adam Driver si prodhuesi italian i makinave Enzo Ferrari dhe Penelope Cruz si gruaja e tij. Festivali i 80-të i filmit në Venecia zgjat deri më 9 Shtator./Katror.info