Për të katërtin vit radhazi, në kuadër të programit shtetëror “Drejt Malit”, nis Shkolla Dimërore e Skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Ky vit pritet të sjellë rreth 1200 nxënës të klasave të 7-ta nga shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, të cilët do të ndahen në 10 grupe për të marrë pjesë në këtë përvojë një-javore, shkruan Katror.info.
Nxënësit do të kenë mundësinë të mësojnë bazat e skijimit dhe të shijojnë aktivitete të ndryshme në natyrë, duke u njohur me sportet malore dhe përfitimet e aktivitetit fizik. Shkolla Dimërore e Skijimit ka si qëllim promovimin e një jete aktive dhe të shëndetshme, duke kontribuar në zhvillimin e një brezi të ri të angazhuar në sporte dhe aktivitete fizike.
Programi “Drejt Malit” është një iniciativë e Qeverisë së Kosovës dhe zbatohet nga Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, duke ofruar mundësi të shkëlqyera për të rinjtë në zhvillimin e aftësive të tyre fizike dhe shëndetësore./Katror.info