Çikat e Kosovës dëshmojnë çdo ditë se nëse u jepet rasti shkëlqejnë gjithandej. E fundit në listën e çikave që kanë arritur suksese të jashtëzakonshme, është dizenjatorja Larglinda Ilazi, e cila renditet mes stilistëve të famshëm botërore nga jo më pak sesa revista prestigjioze Vanity Fair.
Rruga e Larglindës për të arritur deri këtu nuk ishte e lehtë. Në një rrëfim për Katror.info, Larglinda tregon se ishte vetëm 20 vjeçe kur nisi rrugëtimin nga Prishtina drejt realizimit të synimit të bëhej fashion designer dhe të zgjeronte njohuritë e saj në botën e modës në New York City.
.Ëndrra e saj ishte të mund të mendonte dhe të krijonte lirshëm në një qytet të madh. Ajo pranon se ky rrugëtim ishte përplot sfida për një 20 vjeçare që gjendet e vetme në metropolin botëror.
Një vit me pas, ajo nisi studimet në shkollen e dizajnit te modës ne New York, New York School of Design/NYSD, për t’i mbaruar në vitin 2017.
“Plot pozitivitet e energji gjatë studimeve në NYSD arrita të prezantoj koleksionin tim privat në NEW YORK FASHION WEEK në vitin 2016,” tregon ajo për Katror.info.
Modelet e saj janë të përqendruara në veshjet elegante të modës së lartë në mbrëmje. Koleksioni i saj i parë arriti në Javën e Modës në Nju Jork Pranverë/Verë 2016, e cila hapi shumë dyer për të.
Koleksioni i saj u prit shumë mirë dhe kjo i dha motiv që të vazhdojë më tutje.
“Pas shumë kritikave pozitive vazhdova me koleksionin tjetër të shfaqur në New York Fashion Week në vitin 2017,” thotë ajo.
Pavarësisht suksesit tashmë të shënuar, Larglinda nuk u ndal. Në vitin 2019 ajo filloi studimet studimet ne Fashion Institute of Technology, i njohur si një ndër institutet më të famshme dhe të sukseshme në botë. Ajo kreu me sukses studimet e nivelit te lartë specializim Bridal & Evening Wear.
Në prill të 2022, Larglinda paraqiti koleksionin e saj në MACY’S FLOWER SHOW; bashkëpunim me MACY’S njëra ndër qendrat tregtare më të mëdha ne USA me brende luksoze.
Ajo tregon edhe për suksesin e fundit të këtij viti.
“Në janar të 2023 Olivia LaTronica, asistente kostumografe e shoë-it, iu drejtua studentëve në Institutin e Teknologjisë së Modës, me pas kostumografi i show-it Gossip Girl Eric Daman zgjodhi punen e 9 studentëve duke perfshirë edhe dizajnin tim. “
Pas kësaj pason artikulli i Revistës së famshme Vanity Fair ku Larglinda Ilazi përmendet krahas stilistëve të famshëm si Oscar de la Renta, Carolina Herrera etj./Katror.info