2023-shi sapo ka trokitur dhe individët kanë filluar të bëjnë llogaritë e prioriteteve, teksa çmimet dhe kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm.
Bizneset, nga ana tjetër, po e ndiejnë gjithnjë e më shumë mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit të lartë dhe “refuzimit” të të rinjve për të punuar në profesione që paguhen pak.
Por, ky vit mund të ketë lajme të mira për shumë punonjës në vend, në gati të gjithë sektorët, shkruan Monitor.
“Viti 2023 do të sjellë rritje pagash për të gjithë, por disa kategori do të kenë rritje më të lartë”, parashikon Erald Pashaj, Administrator i EPPC Albania & Kosovo, kompanisë së specializuar në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të stafit; kërkimit dhe seleksionimit; konsulencës dhe sondazhit të pagave dhe stafit me qira.
Sipas tij, rritjet më të larta do të jenë për pagat e ulëta, por edhe për disa kategori p.sh. teknologji informacioni apo teknik.
Rritja do të jetë më e lartë për pagat e ulëta, p.sh., punëtorë në prodhim deri në 20% dhe kategoritë Teknik (mekanik, elektrik, ndërtim, kondicionim, etj.), ustallarë, inxhinier, sepse këto kategori kanë jo vetëm kërkesë të brendshme, por tërhiqen edhe nga jashtë, për të punuar në vende si Kroacia, Sllovenia, Hungaria, por edhe Italia, Zvicra dhe Gjermania, të cilat kanë kërkesë të lartë.
“Ndërsa rritja +20% për punonjës të pakualifikuar vjen për shkak të mungesës së tyre në treg, por edhe me mosinteresimin nga një pjesë e popullsisë për të mos punuar me paga të ulëta.
Sipas tij, pika kulmore e ofrimit të pagave edhe më të larta do të jetë qershori 2023, kur sektori i turizmit dhe ndërtimit do të japë maksimumin e pagave për të tërhequr dhe për të mbajtur forcën e punës; turizmi përpara sezonit turistik 2023 dhe ndërtimtaria për të gjitha veprat në ndërtim dhe ato që kanë marrë leje dhe do të ndërtohen.
Pritet rritje e pagave dhe politikave shpërblyese dhe për drejtuesit. Politikat e shpërblimit pritet që të vijojnë të jenë nxitëse dhe për drejtuesit e menaxherët.
Profilet e drejtuesve në dallim nga profilet me paga të ulëta, nuk motivohen vetëm me rritje page, por edhe me një paketë të plotë përfitimesh si p.sh.: bonus vjetor, automjet përfaqësues dhe të sigurt, paketa siguruese për ata dhe familjarët, plan pensioni, trajnime cilësore, etj., si dhe kushte pune që synojnë mirëqenien mendore dhe fizike të drejtuesit. “Të gjitha këto një drejtues me një karrierë të gjatë duhet t’i ketë në mënyrë që të jetë edhe më i përkushtuar dhe produktiv për të ardhmen”.