Zgjedhjet e ushqimeve që bëjmë e zvogëlojnë ose e rrisin rrezikun për një numër çështjesh mjekësore, përfshirë këtu edhe sëmundjen e zemrës dhe kancerin. Mirëpo, efektet e ushqimit nuk shtrihen vetëm në trup, por edhe në mendjen tonë, duke ndikuar në gjendje të tilla si goditja në tru apo demenca.
Përmenden vazhdimisht një numër ushqimesh, për të cilat thuhet gjatë gjithë kohës që na bëjnë mirë. Mirëpo, çështja është që në çfarë niveli na ndikojnë ato. Na bëjnë më të lumtur, më të zgjuar, më me shumë energji, apo plotësisht të lumtur?
Psikiatrja nutricioniste Dr. Uma Naidoo, e cila ka një karrierë të gjatë rreth zbulimit se cilat ushqime e përmirësojnë funksionin e trurit dhe si na bëjnë të ndihemi, për CNN i ka ofruar 5 këshilla se çfarë mund të bëjmë për ta ushqyer trurin tonë dhe ta rrisim disponimin.
Hani ushqime të pasura me fibra
80% e dietës duhet të përqendrohet në ushqime të pasura me fibra, si perimet, frutat, arrat, farat, bishtajoret dhe drithërat me nivel më të ulët glicemie, yndyrna të shëndetshme dhe proteina me cilësi të lartë. 20% i mbetur, ajo thotë se është liria për të shijuar pjesën tjetër ashtu siç vjen. Pra kjo na bën më fleksibil në dietën tonë.
Shijoni ushqime me shumëllojshmëri të ngjyrave dhe sheqer natyral
Hani shumëllojshmëri të perimeve dhe frutave në larmi të ngjyrave. Naidoo, thotë se ushqimet bimore me ngjyra të ndryshme përmbajnë lëndë ushqyese, të cilat e stimulojnë trurin, siç janë polifenolet bimore. Ndërsa, sasinë e sheqerit që na duhet për qelizat tona të trurit, në vend të karameleve merreni nga frutat e shumëllojshme.
Ngrënia e pasur me bimë siguron shumë fibra, e cila ndihmon në uljen e inflamacionit dhe ndihmon në qetësimin e mendjes.
Të mos harrohet ushqimi i gjelbër
Zarzavatet përmbajnë një vitaminë B, e cila është një bllok ndërtimi i neurotransmetuesve të rëndësishëm si p.sh. norepinefrinën, serotoninën dhe dopaminën.
Acidi folik është shoqëruar me ulje të simptomave të depresionit dhe përmirësimit të përgjithshëm të njohjes, gjë që mbështet një mendje të lumtur dhe të pastër. Psikiatrja dhe nutricionistja sugjeron zarzavatet si spinaq, lakra, jeshile, rucola, përzirje pranverore ose luleradhiqe.
Krijoni vetëdije për atë që hani
Nuk është mirë të hahen ushqimet që nuk na bëjnë mirë. Prandaj, është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje organizmit: Si ndihemi pasi ta kemi ngrënë një ushqim të caktuar?
Largohuni nga ushqimet që shkaktojnë ankth
Kur inflamacioni ndodh në zorrë si rezultat i sheqernave të rafinuara, ushqimeve të përpunuara dhe vajrave industrial të farave, mendja bëhet e mbingarkuar, e stresuar dhe e shqetësuar. Ndërsa, kur ushqimet pasurohen me shumë fruta dhe perime, yndyrna të shëndetshme, sidomos omega-3 dhe proteina, zorrët do të qetësohen dhe stresi lehtësohet. /Katror.info