Kushdo që e merr përsipër me përgatitë ushqim qoftë veç për vehte apo edhe t’tjerët, e din sa e vështirë asht ndanjiherë me gjetë receta t’lehta, t’shijshme e t’shpejta për me përgatitë nji shujtë t’mirë. Shpesh edhe gjanat që i përgatisim ma s’miri, dijnë me na u ba bajat e kemi nevojë me ua ndrru shijen. Qata, disa receta e truqe ndihmojnë me e çu shijen e nji ushqimi t’rëndomtë n’tjetrin nivel.
Pula me marinadë greke asht receta që shkon e kombinohet me çkado; n’daç n’sallatë, n’pjatë me oriz ose patate, sanduiç, tortillë n’petë apo perime t’fërgume. E ajo që e ban unike asht pikërisht marinada e përgatitun e cila pos që i jep shije mishit t’pulës, poashtu nuk e lejon me u shterrë e me i hupë langjet. Plus, nuk asht vështirë me u përgatitë.
PËRBËRËSIT:
2 gjokse t’pulës (t’përgjysmume n’file)
1/3 gotë vaj ullini
1 lugë gjelle lëvore limoni
1/3 gotë lang limoni
4 thelpinj hudhër (t’grirë)
2 lugë gjelle oregano t’thatë
1/2 lugë borzilok t’thatë
1/2 lugë trumzë t’thatë
1/2 lugë rozmarinë t’thatë
Kripë dhe piper (Opsionale)
1 lugë çaji biber i kuq
1 grusht magdanoz i freskët (I grirë)
HAPI 1:

Përgatite marinadën duke i shtu krejt përbërësit n’1 enë t’thellë e duke e lanë pulën me u marinu rpër dikund rreth 30 minuta. Megjithatë, sa ma shumë që e lejon me u marinu – aq ma e mirë del. Ti mundesh me e marinu pulën edhe 1 ditë ma herët, po deshe shije ma intenzive.
HAPI 2:

Shto filetë e pulës n’tigan t’nxehtë me pak vaj ullini. Fërgoje njanën anë 8 minuta.
HAPI 3:

Ktheji filetë n’anën tjetër e fërgoji për 8 minuta t’tjerë. Njejtë si n’hapin 2 dhe 3, vepro edhe me 2 copat e tjera t’pulës.
REZULTATI:

Kjo recetë asht shumë e përshtatshme po pate me përgatitë drekë a darkë, por edhe ke dëshirë t’nesërmen me marrë diçka me vehte n’punë. Kështu, me filetë e mbetuna ti mundesh me përgatitë Gjoks pule me mini-lakra (lakra Brukseli) dhe patate t’ambël, apo edhe sanduiç pule n’petë. Kësisoji edhe kursen kohë, por as nuk e len ushqimin me t’shku dam.
Poashtu, kjo recetë mundet me u përdorë edhe për sallata t’ndryshme, pasta e pjata t’tjera interesante. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria