Majin e përmbyllim me arritje, art dhe optimizëm: Java në pesë ngjarje – Edicioni #15
24 Shikime
Shpërndaje
FOTO: CRESCENDO CHOIR FESTIVAL /FACEBOOK
Majin po e përmbyllim me lajme të mira – Kosova po frymon përmes arritjeve, bashkëpunimeve dhe përfaqësimit dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Kjo javë solli një valë zhvillimesh frymëzuese që përfshijnë çdo cep të jetës publike – nga skenat kulturore që shkëlqyen me art ndërkombëtar, te suksese në sport, shëndetësi, arsim dhe zhvillim rural.
Në Teatrin “Faruk Begolli” u përmbyll me sukses edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, duke e kthyer Prishtinën në një epiqendër të kulturës globale. Ndërkohë, më 8 qershor, skena e kryeqytetit do të mirëpresë sopranon me famë botërore Ermonela Jaho, në një nga ngjarjet më të mëdha artistike të vitit.
Sportistë nga 45 shtete erdhën në Prishtinë për një turne global të pingpongut, ndërsa në fushën e shëndetësisë, 12 fëmijë me sëmundje të zemrës po marrin trajtim kirurgjik falë një bashkëpunimi jetësor me mjekë nga Turqia.
Në anën tjetër, një kadet nga Kosova diplomoi në Akademinë prestigjioze West Point në SHBA, ndërsa mbi 90% e tokës bujqësore në Mamushe është elektrifikuar – shembuj konkretë të progresit që po ndodhin në vendin tonë
Kosova po ecën përpara – me besim, vullnet dhe vizion.
Le t’i zbulojmë bashkë 5 të mirat e kësaj jave:
Lajmi më i mirë i javës: Kosova edhe më afër integrimit euroatlantik
Këtë javë, në SHBA, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përfaqësuar vendin në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku ka folur në një panel të nivelit të lartë për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
FOTO: VJOSA OSMANI /FACEBOOK
Në praninë e përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidentja Osmani theksoi reformat e vazhdueshme në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilat po e pozicionojnë Kosovën si një partnere e denjë në aleancën e vendeve demokratike.
FOTO: VJOSA OSMANI /FACEBOOK
“Reformat tona dhe investimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë Kosovën si partnere mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë”, ka shkruar ajo në një postim në rrjetin social Facebook.
FOTO: VJOSA OSMANI /FACEBOOK
Ajo shtoi se me mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë, Kosova po forcon themelet e një rajoni më të sigurt dhe të qëndrueshëm.
FOTO: VJOSA OSMANI /FACEBOOK
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik – një zhvillim që sjell shpresë dhe perspektivë për të ardhmen e vendit.
Kutia jonë e lajmeve të mira e ka këtë histori – mos e le pa lexu:)!
Në rrugën e liderëve të sigurisë: Enderon Vuthaj diplomon në Akademinë e Forcave Ajrore në SHBA!
Kosova shënon një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare të arsimit ushtarak: Kadeti Enderon Vuthaj ka diplomuar me sukses nga Akademia e Forcave Ajrore të SHBA-së, duke u bërë pjesë e gjeneratës 2025 të një prej institucioneve më prestigjioze në botë.
FOTO: FORCA E SIGURISË E KOSOVËS /FACEBOOK
Gjatë katër viteve të studimeve, Vuthaj përfaqësoi denjësisht Forcën e Sigurisë së Kosovës në mesin e kadetëve nga e gjithë bota, duke fituar njohuri dhe aftësi të avancuara në fushën e sigurisë. Pas kthimit në Kosovë, ai do t’i bashkohet radhëve të oficerëve të FSK-së për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe partneritetit ndërkombëtar.
FOTO: FORCA E SIGURISË E KOSOVËS /FACEBOOK
Frymëzim dhe siguri: Kosova ecën përpara me krenari!
Për më shumë rreth këtij suksesi, mund të lexoni artikullin e plotë n’katror.
Prishtina në qendër të pingpongut botëror: Sportistë nga 45 shtete në Kosovë!
Këtë javë, Prishtina është bërë nikoqire e dy prej garave më të mëdha ndërkombëtare të pingpongut: WTT Youth Contender (29 maj – 1 qershor) dhe WTT Feeder Prishtina (3 – 7 qershor). Ngjarjet po mbahen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, duke mbledhur mbi 600 sportistë nga 45 shtete të botës, përfshirë edhe 12 vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
FOTO: FEDERATA E PING PONGUT E KOSOVËS /FACEBOOK
Ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për sportin, por edhe për diplomacinë sportive, duke e vendosur Kosovën në hartën e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare me standarde të larta. Federata e Pingpongut e Kosovës, e cila po e organizon këtë turne, është përgëzuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës për profesionalizmin dhe mikpritjen.
FOTO: FEDERATA E PINGPONGUT E KOSOVËS /FACEBOOK
Të ftuarit e parë nga Korea dhe Japonia tashmë kanë arritur në Prishtinë, ndërsa organizimi po monitorohet nga ekspertë ndërkombëtarë për të garantuar rrjedhë të suksesshme të garave.
FEDERATA E PINGPONGUT E KOSOVËS /FACEBOOK
Ky turne është më shumë se sport – është një dëshmi e imazhit të ri të Kosovës si vend i hapur, mikpritës dhe gjithnjë më i pranishëm në skenën ndërkombëtare.
Sensacioni i Eurovisionit, Tommy Cash, në Hardh Fest 2025!
Hardh Fest po rikthehet më fuqishëm se kurrë me edicionin e tij më të pritur, më 5, 6 dhe 7 shtator 2025, dhe lajmi i parë që ndez atmosferën është ardhja e Tommy Cash – fenomenit estonez që pushtoi Eurovision 2025 me hitin e tij viral “Espresso Macchiato”!
Me performancën që bëri “bujë” në internet dhe rrëmbeu zemrat e publikut, Tommy Cash sjell në Rahovec energjinë e tij unike dhe stilin vizual eksperimental që e bëri atë një nga emrat më të përfolur të Eurovisionit këtë vit. Hardh Fest 2025 pritet të jetë pika më e nxehtë kulturore e shtatorit, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
FOTO: WIWIBLOGS
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit jubilar të vitit 2024, festivali rikthehet me shumë risitë dhe përsëri – pa bileta, për të gjithë ata që duan të përjetojnë muzikë LIVE dhe atmosferën unike të Rahovecit.
Hardh Fest është më shumë se një festival muzike – është një ngjarje që promovon traditat e Rahovecit, verërat dhe produktet lokale, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të komunës dhe Kosovës.
Qëndroni të informuar për emrat e tjerë të line-up-it dhe aktivitetet emocionuese që do të pasojnë!
Një javë plot art dhe emocione – Finalja e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë!
Në mesin e ngjarjeve më të veçanta të kësaj jave ishte finalja madhështore e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë, ku u shpallën fituesit e edicionit të nëntë.
Ky festival që mbledhi artistë dhe spektatorë nga vende të ndryshme të botës, solli në skenë shfaqje të jashtëzakonshme dhe momente emocionuese që pasqyruan fuqinë e artit teatral. Në një natë të mbushur me emocione, shfaqja boshnjake “Purple” fitoi çmimin kryesor për “Shfaqjen më të mirë”, ndërsa artistë nga Kosova, Franca, Izraeli dhe Greqia u nderuan për interpretimet e tyre të shkëlqyera.
Ky event kulturor jo vetëm që promovoi artin e teatrit në Kosovë, por forcoi edhe lidhjet ndërkombëtare në fushën e kulturës, duke sjellë në Prishtinë histori që na bashkojnë të gjithëve.
Kjo javë ishte një mozaik suksesi që e vendos Kosovën në hartën globale – nga diplomimi i kadetit në SHBA, te skenat ndërkombëtare të artit dhe sportit në Prishtinë, e deri te diplomacia e lartë dhe lajmet emocionuese kulturore. Një javë që dëshmon: Kosova po shkëlqen me energji, bashkëpunim dhe krenari.
Faleminderit që ishe me ne edhe këtë javë! Në mes të gjithë rrëmujës së përditshme, po përpiqemi bashkë të gjejmë dritat e vogla që na bëjnë të buzëqeshim.
Shihemi javën tjetër me edhe më shumë lajme të mira, deri atëherë, ruaje pozitivitetin dhe ndaje të mirën sa herë që mundesh:). /Katror.info