Me e pytë kando se cili frut (anipse asht kategori e perimeve) asht ndër ma t’pëlqyerit, me shumë gjasë shumë njerëz e sidomos fëmijët kanë me t’u përgjigjë “Dredhëza” – e dorën n’zemër nuk kanë faj, sepse dredhëzat pos vitaminave dhe ambëlsisë, janë edhe t’mbushuna me shije unike e specifike Madje, sipas nji studimi, dredhëzat e ulin rrezikun e sëmundjeve t’zemrës për 40%. E ku ka ma mirë se me hangër dredhëza? – Epo ka: me hangër bukë me reçel t’dredhëzave, sidomos nëse reçelin e ke përgatitë vet.
Ne ta kemi gjetë recetën ma t’shpejtë, ma t’lehtë e ma t’shijshme t’mundshme t’reçelit prej dredhëze, aq sa ma hesapë ke me e përgatitë vet (për 10 minuta), sesa me dal jasht e me e ble n’shitore. Mjafton me i ndjekë udhëzimet tona dhe me i kushtu pak kujdes përgatitjes. Kaq.
PËRBËRËSIT:
500 gr dredhëza (t’prera n’copëza)
3/4 gotë sheqer
1/4 lugë gjelle ekstrakt vanille
1/4 lugë çaji kripë
HAPI 1:

Shto dredhëzat dhe sheqerin n’tenxhere. Ziji ato n’temperaturë mesatara për 10 minuta; derisa dredhëzat ta kenë lëshu langun e tyre dhe t’jetë kriju nji masë sirupi n’tenxhere (sikurse asht sherbeti apo mjalta). Mos harro vazhdimisht me e përzi masën.
HAPI 2:

Për këtë reçel nuk t’duhen ma shumë se 10 minuta. Mbas 10 minutave largoje tenxheren, shtoja ekstraktin e vanillës bashk me kripë, përzije masën mirë dhe leje reçelin me u ftohë (kësisoji trashet edhe ma shumë). Krejt n’fund, vendose reçelin n’tegëll xhami dhe ruje n’frigorifer, apo edhe n’temperaturë dhome. Reçeli kësisoji mundet me u shfrytëzu 10-12 ditë pa problem.
REZULTATI:

Reçelin mundesh me e përdorë bash n’çkado; rriskë buke, n’llokuma, n’petulla amerikane, n’waffles, n’pjata jogurti me fruta, keksa dietal e keksa orizi e pse jo edhe n’ambëlsina sikurse CheeseCake-u, keku me limon, ose LavaCake-u. Biles, qe qysh mundet me u dokë nji pjatë e tillë (se ne flasim me shembuj konkret – e kem merak):

E meqë jemi zhytë n’receta t’ambla, mos e le pa e provu edhe sosin e boronicës që poashtu ngjanë pak n’reçel. Kurse për receta autentike t’gjysheve, DUHESH me i provu kurdo që ke kohë edhe kompotin me mollë dhe kompotin me dardhë – besona, nuk i bjen pishman. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria