Cristiano Ronaldo është një ndër sportistët me gjendjen më të mirë fizike. Edhe pse tashmë 37-vjeçar, ai duket dhe luan sikur të ishte ende 27. Një pjesë e mirë e “sekretit të rinisë së përjetshme” të portugezit, është stërvitja e vazhdueshme që bën, por edhe dieta strikte që ndjek me rigorozitet.
Gjatë një dite, sulmuesi i ri i Al Nassr konsumon 6 vakte, të gjitha me ushqime me pak yndyra dhe shumë proteina, për të mbajtur të lartë nivelin e energjisë që i duhet një lojtari futbolli të niveleve më të larta.
Në këtë dietë përfshihet djathi, proshuta, kosi, peshku dhe sigurisht shumë fruta dhe perime. Ai gjithmonë ka thënë se nuk konsumon pije alkoolike, por vetëm ujë.
Në regjimin ditor të Ronaldos duket se është eliminuar gjumi 8-orarësh, por bën pushime të vogla njëorëshe, gjithmonë duke ndryshuar çarçafët në mënyrë që të jetë i freskët.
Pjesë e rutinës së tij janë edhe seanca noti, palestër pesë herë në javë dhe seanca me krioterapi në -160°C, për të rritur qarkullimin e gjakut.
Dieta tipike e Cristiano Ronaldo
Mëngjesi: Proshutë, djathë dhe kos pa yndyra
Vakt i ndërmjetëm: Pulë dhe sallatë
Dreka: Peshk tuna, ullinj, vezë dhe domate
Vakt i ndërmjetëm: Tost me avokado, fruta të freskëta
Vakt para darkës: Peshk shpatë dhe sallatë
Darka: Biftek dhe kallamarë
Stërvitja: Pesë herë në javë në palestër ku bën 30 minuta vrap dhe ngritje peshash. Në total stërvitja zgjat 3-4 orë në ditë.
Gjumi: Pesë herë në ditë, për të ndihmuar muskujt që të rikuperohen.