Ndalimi i telefonave të mençur në shkolla sjell përmirësim të ndjeshëm në rezultatet e nxënësve, sipas një studimi të madh që konfirmon atë që prindërit dhe mësuesit kanë dyshuar prej kohësh.
Në një provë të parë të këtij lloji, e zhvilluar në Indi me pothuajse 17,000 nxënës, studiuesit ndanë klasat në dy grupe: ato ku përdorimi i telefonave ishte i ndaluar dhe ato ku ishte i lejuar. Rezultatet treguan se nxënësit në klasat pa telefona kishin nota dukshëm më të larta, veçanërisht ata që kishin vështirësi në mësime, shkruan PositiveNews, përcjell Katror.info.
Studimi, i udhëhequr nga Universiteti i Pensilvanisë në SHBA, përputhet me përvojat nga Holanda, një nga vendet e para që ndaloi telefonat në shkolla. Në një sondazh të realizuar në shkollat e mesme holandeze, tre të katërtat raportuan përmirësim të përqendrimit tek nxënësit, ndërsa një e treta raportuan përmirësim në arritjet akademike.
Daisy Greenwell, drejtoreshë e nismës britanike “Fëmijëri Pa Smartphone”, përshëndeti gjetjet e reja, por nuk u befasua prej tyre.
“Ky kërkim më në fund jep prova të qarta për atë që prindërit dhe mësuesit kanë parë gjithmonë: pa telefona në klasë, fëmijët janë më të përqendruar, më të lidhur dhe lulëzojnë më mirë,” tha ajo.
“Algoritmet e varësisë së kompanive të mëdha teknologjike rrëmbejnë vëmendjen, prandaj ndalimi i telefonave është një mënyrë e thjeshtë dhe me kosto të ulët për të përmirësuar të nxënit – dhe përfitimi më i madh është për ata që e kanë më shumë nevojë. Është koha që edhe Mbretëria e Bashkuar të ndjekë këtë shembull,” tha Greenwell./Katror.info