Nji tavolineje t’shtrume mirë nuk ban me i mungu as supa. Tamam sa me e përgatitë lukthin për pjatën kryesore, supa shërben si ushqim që e lehtëson tranzicionin që e pëson kulthi prej t’qenunit i untë – n’t’ngopun. Megjithatë, jo çdoherë kemi kohë e energji me i nxjerrë punë vehtës n’kuzhinë pa i pasë disa receta t’lehta nëpër dorë sikurse janë recetat e 4 supave që i patem përzgjedhë kohë ma parë. E ne jemi këtu bash për këto gjana, me t’njoftu me receta që nuk janë t’randa.
Thjeshtë e lehtë ti mundesh me e përgatitë supën me domate – supë kjo që ta ndreçë secilën drekë a darkë vjeshte, pikërisht për shkak t’shijes, ngrohtësisë e komoditetit që ta ofron. E ma e mira asht, që shkon me cilëndo pjatë kryesore, por mundesh edhe si pjatë n’vehte me e konsumu.
PËRBËRËSIT:
2 kg domate (t’prera n’mes)
1 qepë(e prerë n’copa)
2 thelpinj hudhër
5 lugë vaj ullini
Kripë e biber t’zi (Opsionale)
1 gotë ujë
Borzilok (Opsionale)
HAPI 1:
Nxeje furrën n’200 C dhe fillo me përgatitjen; shto domatet, qepën, hudhrën dhe erëzt n’tepsi e shtriji mirë. Shto sipër vajin e ullirit dhe pjeki domatet n’furrë për 30-35 minuta.
HAPI 2:
Largoji perimet prej furrës bashk me langun që e kanë lëshu dhe futi n’blender e bluji mirë, deri sa t’krijohet nji masë e trashë. Shto gjatë bluarjes gotën me ujë, përzije masën mirë dhe servo.
REZULTATI:
Servoje supën n’pjata t’thella e sipër shtoja pak borzilok t’freskët e pak copëza buke t’rreshkun paraprakisht, ose me keksa t’njelbët. Pjesën që t’tepron fute n’tegëll ose shishe t’xhamit e ruje n’frigorifer. Kësisoji, supa qëndron për 2-3 ditë dhe mundesh edhe n’punë me marrë me vehte.
E nëse ke interesim me mësu edhe ndonji recetë t’re t’supave me plot shije, ne ta rekomandojmë supën me speca t’kuq – supë kjo që nuk besojmë ta kesh provu deri më tash. E edhe supa me thjerrëza e limon asht nji “must try”. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria