Nëse jeni në Nju Jork dhe ju bie në sy se “Sytë” po performojnë nëpër klube dhe salla koncertesh dhe mendoni se kanë lidhje me Kosovën apo Shqipërinë, nuk e keni gabim. Sytë janë dyshja kosovaro-amerikane që ndjekin rrugëtimin e tyre në skenën muzikore të Nju Jorkut dhe më gjerë.
Grupi muzikor Sytë u themelua në vitin 2018 në Prishtinë, nga producenti dhe multi-instrumentalisti Drin Tashi dhe vokalistja Nita Kaja nga Nju Jorku. Atëbotë anëtarë ishin edhe Fatlind Ferati, basist dhe Granit Havolli, baterist.
Drini në kohën e themelimit të grupit Sytë, kishte pas vetes një eksperiencë mahnitëse me mbi 100 projekte të realizuara nga të gjitha zhanret muzikore, si kompozitor apo producent por edhe si performues në projekte për reklama, animacione, teatër, artistë vendas dhe ndërkombëtarë, duke trajtuar tërësisht çdo detaj muzikor nga para-prodhimi, deri tek prekjet e fundit të post-produksionit. Diapazioni i tij muzikor shtrihet nga bluesi, roku klasik deri te kompozimet neoklasike.
Ai ka qenë anëtar i grupit rock Hithat Blues Trio ku bëri një album CD dhe ka performuar me vëllain e tij Lum Tashi në kitarë dhe babain Luan Tashi në bas dhe vokal. 16-vjeçari Drini me Hithat perfeksionuan premisat e rock dhe bluesit.
Në vitin 2014, vëllezërit Tashi, Lumi dhe Drini, të ndikuar nga njëri-tjetri, themeluan grupin Zhaba, një grup me një tingull indie-post-rock-alternativ. Zhaba realizon albumin K’neta, një titull simbolik për “kënetën muzikore” ku ndërthuren tingujt e muzikës elektronike, psikodelike dhe xhazit. Mund lirisht të thuhet se albumi K’neta me këngë si “Çeli sytë”, “Tash larg” dhe me instrumentalet si “Kontra”, “Delli në bukana” etj., mbetet një vepër unike në katalogun e muzikës alternative në Kosovë.
Anëtarja tjetër e grupit Sytë Nita Kaja, tekstshkruese dhe vokaliste e grupit e lindur në Nju Jork me karakteristikat kulturore të të dy botërave (Prishtinë dhe Nju Jork) arrin që përmes teksteve të eksplorojë me një sinqeritet të pastër aspekte të ndryshme të jetës, marrëdhënieve, rrugëtimit dhe ndjekjen e ëndrrave muzikore dhe jetësore, por edhe betejave emocionale. Nita zotëron një diapazon të gjerë vokalesh të cilat Drini përmes kompozimeve i kanalizon në formë perfekte muzikore. Talenti i saj skenik përveç videove muzikore të grupit dëshmohet edhe në filmin e shkurtër eksperimental “Four Pills At Night” (Katër Pilula gjatë natës).
Kontrasti i balancuar është ajo që e përcakton krijimtarinë e grupit. Natyrat e kundërta, por plotësuese të Nitës dhe Drinit frymëzojnë tingullin e tyre kompleks. Ata kanë krijuar aliazhin e tyre shumëngjyrësh të muzikës indie, pop dhe R&B alternativ, duke kombinuar momente magjepsëse me një stil indie të qetë.
Debutimi i sukseshëm i grupit në korrik 2018 ishte rezultat i publikimit të EP-së së parë, me të njëjtin emër, të quajtur ‘Sytë’, ndërsa kënga ‘The End’ u rendit në tabelën muzikore shqiptare ‘Top Awards’ në janar 2021.
Deri më 2021 grupi realizon tre videoklipe dhe zhvillon një mini-turne në disa vende të rajonit. Në atë periudhë performuan edhe në dy festivale, më 2018 në ‘Suny Hill’ dhe më 2019 në ‘Berlin Pop-Kultur Festival’ ku faqja zyrtare e Festivalit e karaketerizon grupin dhe EP-në e tyre si vepër e rallë e atij formati artistik që vjen nga Kosova. Nga kënga e parë ‘Crying in the Club’ deri te ‘Nostalgia Rocket’, “EP” neo-soul dhe R&B të ndikuar nga jazz dhe trip-hop këngët, që tregojnë historinë e një vere në të cilën dy njerëz afrohen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin përpara se të ndahen sërish. Dhe pastaj çfarç? E po ky “EP” jep përgjigjen në pyetjen se cili grup aktual kosovar po përgatitet të pushtojë botën? Shkruante më 2019 faqja zyrtare e Festivalit Pop Kultur të Berlinit.
Më 2020, grupi publikon albumin e tyre të parë digjital “Divine Computer”. Epika e dhjetë këngëve është një udhëtim emocionues futuristik në botën e alt-pop dhe më gjerë. Ky album ishte një sukses ndërkombëtar, dhe madje u kap nga një sërë mediash kryesore të shtypit.
Në Prill 2021, Sytë bashkëpunoi me artisten nga Londra Qendresa për të publikuar këngën e tyre dhe videoklipin “Up in the Air”.
E shikuar jashtë kontekstit, kënga “Up in the air” mund të perceptohet si një këngë shkëputjeje, por siç theksonte vokalistja Nita Kaja, bëhet fjalë për “lamtumirën e saj në katër vitet e fundit intensive, të bukura, sfiduese dhe të pjekura në jetën e saj”. Vulën personale dha edhe këngëtarja nga Londra, Qendresa.
Publikimi i tyre i fundit para se të largohen për në Nju Jork ishte kënga “Sirena”, një pop alternativ me tempo të mesme, i përbërë nga “riffe” të pasura me kitarë, me ritëm të fortë të baterive të mbizotëruara nga basi, të mbështetura nga stili unik vokal i Nitës që shtrihet midis kontraltos dhe ritmeve melodike ambientale. Këngën e shpjegon Nita për “Notion”.
“Këtë këngë e kam shkruar për përballjen me një energji të errët femërore brenda meje, të cilën e kam personifikuar si “Sirena”, ose “sirena që noton në zemrën time”, sepse ajo u përpoq të sabotonte marrëdhënien e parë të shëndetshme dhe të qëndrueshme në jetën time.”
Në këtë pikë të veprimtarisë, ishte e qartë se Sytë kanë nevojë për më shumë hapësirë për vetërealizim dhe përfundimisht shpërngulen për në Nju Jork.
Infrastruktura e madhe dhe shumë e fortë e industrisë së muzikës në Shtetet e Bashkuara, që përfshjinë kompani diskografike, botues, agjenci menaxhuese, kompani distribucioni, agjenci dublimi, organizata për të drejtat e performancës, etj., mundëson funksionimin e grupit Sytë të funksionojnë dhe zhvillohen edhe si grup i pavarur pa label, ndryshe nga Kosova ku është shumë e vështirë për artistët e pavarur të jetojnë drejtpërdrejt nga arti i tyre pa mbështetje të strukturuar. Grupit Sytë, që krijimtarinë, artin dhe suksesin e sheh jo si famë, por punë dhe krijimtari të bukur, i lehtësohen shumë planet e tyre që të eksportojnë muzikën e tyre në tregun amerikan, të vetëdijshëm se kjo zakonisht nuk ndodh brenda natës pa punë dhe mund.
Gjatë qëndrimit të tyre në Nju Jork, Sytë i relizuan dy singla të suksesshme, “Bunge Jumping” dhe “Your’s for life”. “Your’s for life” u shfaq në top listat në qytete dhe vende të ndryshme të botës. Eyes mbajtën koncertin e tyre promovues në njërën prej sallave më të njohura të koncerteve në Nju Jork, ‘Baby’s All Right’. Edhe EP “You Know That, Right?” (E di, apo jo?) nga nëntori i vitit të kaluar ndjek suksesin e “Your’s for life”. Ai u vu në qendër të vëmendjes në listat për luajtje të Spotify “Fresh Finds”, “New Pop Picks” dhe Sytë janë paraqitur në kopertinën e Fresh Finds Pop – duke shënuar kapitullin tjetër emocionues në udhëtimin e tyre muzikor. Me publikimin e EP-së, Sytë realizuan një mini-dokumentar, duke ofruar një pasqyrë të krijimit të këtij projekti – duke vendosur skenën për një përvojë dëgjimi thellësisht personale dhe të ngarkuar personalisht.
“You Know That, Right?” na prezanton disa nga momentet e tyre më tranzitore, nga Kosova e deri te ndjekja e një karriere muzikore në Nju Jork. Temat e dashurisë në rritje, fuqizimit emocional dhe momenteve të hidhura përshkruajnë një pamje të gjallë të privilegjit për të zgjedhjes së fatit të dikujt. ” You Know That, Right?” gjithashtu thellohet në rrëfimet e pambrojtura të betejave mendore dhe emocionale në izolim të vetë-dënuar dhe thekson artin e shkëlqyer të Sytë, si dhe përkushtimin e tyre për të folur për tema të tilla prekëse.
Pa dyshim, Sytë janë një grup që edhe në të ardhmen do të hasim në Play lista, Top lista, kopertina, koncerte me muzikën e tyre të bukur, ku dëgjuesi do të gjejë “soundtrackun” e vet në këngët e tyre./Katror.info