Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu”, i cili vjet ishte goditur nga greva e aktorëve dhe u anulua, tashmë i ka caktuar datat e edicionit të tretë. Prishtinës i takon nikoqirllëku i edicionit të tretë. Teatri Kombëtar i Kosovës po bën përgatitjet që prej 22 deri më 27 nëntor t’u bëjë vend dhjetë shfaqjeve nga dhjetë teatro të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Luginës së Preshevës. Kjo nismë e TKK-së, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar në Shkup përllogaritet të ketë kosto prej 100 mijë eurosh.
Teatri Kombëtar i Kosovës planifikon që sivjet t’i bëjë nikoqirllëk festivalit të teatrit shqiptar, “Moisiu”. Ngjarja që për emër mban mbiemrin e aktorit shqiptar më të njohur në skenën teatrore evropiane, Aleksandër Moisiu, ishte paraparë që edicionin e tretë ta zhvillojë në Prishtinë qysh vitin e kaluar. Por greva e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës qe bërë arsye që edicioni të anulohet. Sivjet, institucioni më i lartë teatror në vend po bën përgatitjet që prej 22 deri më 27 nëntor të jetë nikoqir i dhjetë shfaqjeve nga dhjetë teatro të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Luginës së Preshevës.
Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe Salla e Kuqe po ashtu në këtë kompleks do të bëhen gati për edicionin e sivjetmë të nismës së tre teatrove kryesore në hapësirat shqiptare, festivalin “Moisiu”. Pa pasur ende program final, Teatri Kombëtar i Kosovës që ka barrën e mikpritjes në bazë të ciklit lëvizës të Festivalit, synimet i ka që të mbahet ky edicion. Me hapësira të improvizuara – siç funksionon vetë TKK-ja prej korrikut të vitit 2022 – institucioni duket se do ta improvizojë edhe me Festivalin.
“Janë dhjetë shfaqje nga dhjetë teatro. Programi është në përfundim e sipër dhe mund të them se drafti final është konkretizuar. Janë tri shfaqje nga Kosova, tri nga Shqipëria, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kosova Lindore”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti.
Realizmi i këtij festivali – nismë e TKK-së, Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Shqiptar në Shkup – përllogaritet të ketë kosto prej 100 mijë eurosh. Vjet kur u anulua, këto 100 mijë euro qenë përdorur për të paguar obligime të institucioneve të tjera kulturore nga Ministria e Kulturës.
“Sivjet bëhet mbyllja e qarkut të parë të rrotacionit”, ka thënë drejtori Sheremeti. Për herë të parë Festivali qe mbajtur në Shkup më 2022, më pas në Tiranë më 2023 dhe tash e dy vjet është radha e Prishtinës.
Sheremeti ka sqaruar se çdo ditë do të jepen nga dy shfaqje, një në Amfiteatër dhe një tjetër në Sallën e Kuqe. Festivali pritet t’i ketë rreth 500 mysafirë.
“Të gjitha shfaqjet duhet të jenë të prodhuara nga fundi i edicionit të kaluar e deri më tash”, ka thënë drejtori Sheremeti. Sipas tij, qëllimi kryesor i Festivalit është që nëpërmjet tij të krijohet një platformë e bashkëpunimit.
“Nga themelimi më 2022 është bërë një numër i madh i bashkëprodhimeve teatrore pikërisht për shkak se njerëzit janë takuar në këtë platformë. Është njohja e njëri-tjetrit dhe krijimi i një tregu të përbashkët teatror shqiptar”, ka thënë ai për Koha.net.
Hyrja në grevë e aktorëve të Teatrit Kombëtar e Kosovës në mesin e nëntorit të vitit të kaluar “penalizoi” së pari Festivalin. Menjëherë më pas organizatorët e Festivalit, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Shqiptar i Maqedonisë bënë të ditur anulimin.
Menjëherë pas këtyre njoftimeve do të reagonte edhe Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së. Kishte thënë se vendimi i ka “pikëlluar pa masë”. Kishin shkruar se ky vendim i gjen në muajin e dytë të veprimeve sindikale, të nisura nga data 9 shtator dhe të përshkallëzuar në grevë të përgjithshme nga 15 nëntori.
Greva që zgjati deri në shkurt të këtij viti nuk nxjerri gjë në dritë. Kërkoi trajtim më i mirë i aktorëve të TKK-së sa u përket koeficienteve të pagës. Shoqata do të njoftonte se do ta pezullonte grevën pasi kishin marrë një zotim nga kabineti i ministrit të Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku. Prej atëherë, MKRS-ja s’ka bërë gjë për pagat./Katror.info













