Një makinë elektrike e zhvilluar nga studentët e Universitetit Teknik të Mynihut (TUM) theu rekordin botëror duke udhëtuar 2573 kilometra me vetëm një karikim baterie.
Një makinë elektrike e quajtur ‘Muc022’ qarkulloi në një hangar të zbrazët në aeroportin e Mynihut për 99 orë për të thyer rekordin botëror. Rekordi i mëparshëm botëror prej 1608.54 kilometrash u thye pas katër ditësh.
Bateria 15.5 kWh u zbraz më në fund pas saktësisht 2573.79 kilometrave të kaluara, shkruan Katror.info.
“Në këtë proces, studentët u mbështetën kryesisht në aerodinamikë të mirëmenduar dhe ndërtim të lehtë”, thuhet në njoftimin për shtyp dhe automjeti konsumonte vetëm 0.6 kWh për 100 kilometra.
Në vitin 2016, ekipi nga Mynihu tashmë vendosi rekordin botëror për makinën elektrike më efikase. Me një shpejtësi mesatare prej 25 km/h, automjeti i tyre konsumonte 0.81 kWh për 100 kilometra.
“Orë të panumërta punë u bënë për t’u përgatitur për rekordin. Na gëzon edhe më shumë që tani mbajmë rekordin botëror.
Muc022 tashmë ka qenë i suksesshëm në disa gara, dhe tani kjo është arritja kurorëzuese. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur”, tha ekipi i TUfast Eco.
Siç raporton Electrive, makina elektrike e quajtur Muc023 nga iniciativa studentore e quajtur ‘TUfast Eco’ është prezantuar në maj të këtij viti dhe peshon vetëm 65 kilogramë.
Megjithatë, për të vendosur rekordin botëror, ekipi përdori një model më të vjetër, Muc022, i cili peshon 75 kilogramë, por shtoi një bateri më të madhe që e çoi peshën totale, pa drejtues, në 170 kilogramë./Katror.info