Festa e pritjes së Vitit të Ri në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ka kulmuar në orën 24:00 të mbrëmjes së 31 dhjetorit, ku mijëra qytetarë pritën Vitin e Ri.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj së bashku me artistë dhe qytetarë kanë numëruar mbrapsht për të pritur Vitin e Ri 2023. Pas numrit mbrapsht një spektakël me fishekzjarre ka ndriçuar kryeqytetin.
Të shumtë kanë qenë ata të cilët e kanë pritur ardhjen e Vitit të Ri në sheshin “ Skënderbej” në Tiranë, por nuk ka munguar atmosfera festive edhe në rrethe të tjera të vendit, ku qytetarët dhe të afërmit e tyre i kanë “uruar mirëseardhjen” 2023-it në qendrat e qyteteve.
Në Tiranë, festa ka nisur në mbrëmje me koncertin festiv të Vitit të Ri, ku kanë performuar këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare.