Uber Eats planifikon të testojë sërish shpërndarjen e ushqimit me dronë, kësaj here në partneritet me Flytrex-in.
Flytrex është një nga operatorët e dronëve që qëndron pas shërbimit të shpërndarjes me dron të Walmart-it dhe tashmë shpërndan ushqim në disa pjesë të SHBA-së.
Është një nga katër ofruesit e shërbimeve që ka marrë miratim nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) për operime përtej vijës vizuale të shikimit (BVLOS), ku pilotët nuk mund ta shohin drejtpërdrejt mjetin fluturues që po e drejtojnë, shkruan telegrafi.
Sipas kompanive, partneriteti do t’u mundësojë përdoruesve të Uber Eats të marrin porositë brenda pak minutash, duke ulur njëkohësisht ngarkesën në rrugë. Ata planifikojnë të nisin shërbimin pilot të shpërndarjes me dron në tregje të përzgjedhura në SHBA deri në fund të vitit.
Si pjesë e këtij partneriteti, Uber po investon gjithashtu në Flytrex, duke i dhënë burime për të përshpejtuar zbatimin e teknologjisë së dronëve në SHBA.
“Teknologjia autonome po transformon lëvizshmërinë dhe shpërndarjen më shpejt se kurrë më parë. Me Flytrex-in po hyjmë në kapitullin e radhës, duke sjellë për herë të parë shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e shpërndarjes me dron në platformën Uber Eats në shkallë të gjerë,” tha Sarfraz Maredia, president i Lëvizshmërisë dhe Shpërndarjes Autonome në Uber.
Duket se Uber pret që ky program pilot testimi të ketë ndikim shumë më të madh se përpjekja e mëparshme. Që në vitin 2018, CEO-ja e Uber-it Dara Khosrowshahi kishte folur për mundësinë e nisjes së një shërbimi shpërndarjeje ushqimi me dron deri në vitin 2021.
Më vonë, në kuadër të projektit të quajtur Uber Elevate, në vitin 2020 Uber realizoi disa shpërndarje provë në partneritet me McDonald’s-in, por shërbimi nuk u shtrua gjerësisht.
Kompania gjithashtu prezantoi një dron të vetin, të aftë për ngritje dhe ulje vertikale, i cili ishte projektuar për të transportuar ushqim për dy persona, por nuk është e qartë se çfarë ndodhi me atë projekt specifik. /Katror.info