Vllaznim Xhiha është një profil suksesi, gati për 30 vjet radhazi në Zvicër njihet fillimisht si ndërmarrës i shquar zviceran-kosovar, për të kaluar pastaj në sferën e filantropisë dhe bartjes së dijes, tek fëmijët dhe të rinjtë, në Kosovë.
Edhe më parë, si afarist i suksesshëm, ashtu sikurse tani, si një personalitet me vizion për të ndihmuar arsimin teknik në Kosovë, Xhiha nuk është imponuar me paraqitjen tipike për biznesmenët ballkanikë. Në një podcast me Mira Kazhanin, Xhiha ka treguar në detaje jetën e tij dhe arsyen pse është kthyer në Kosovë së bashku me bashkëshorten, Nitën.
Xhiha, ‘miliarderi incognito’ bën jetë të thjeshtë në Kosovë ndërkohë që udhëheq rrjetin e shkollave BONEVET në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës, Në BONEVET çdo nxënës inkurajohet të zbulojë talentet dhe interesat e tyre përmes aftësimit praktik.
Historia e një të pasuri atipik për botën tonë shqiptare, për nga të gjitha rrethanat e jetës. A njihni ju një sipërmarrës që beson se pasuria nuk i përket vetëm atij, por se një ditë duhet t’ia kthejë shoqërisë një pjesë? Ky është rasti.
I lindur në një familje diplomatësh, i rritur nëpër botë. Zelandë e Re, Zyrih e Beograd, Vllaznim Xhiha është shqiptari i parë i diplomuar si inxhinier në universitetin e prestigjioz ETH të Cyrihut, apo aty ku ka studiuar vetë Ajnshtajni.
Inxhinieri pati një ide bashkë me shokun e tij Filipin, zviceran dhe në vitet ‘90 ai u bë një sipërmarrës dhe inovator. Më pas edhe miliarder. Por pikërisht këtu nis historia frymëzuese dhe reflektuese e këtij njeriu, që me modesti, larg show e spektaklit me politikanë në krah, prej më shumë se një dekade me një pjesë të pasurisë së tij po bën diçka të mrekullueshme për vendin e tij.
Atë e ka dalluar dhe e dallon edhe më tej modestia dhe dëshira që t`ia kthejë shoqërisë atë që ka krijuar (edhe) me ndihmën e saj, shkruan albinfo.ch.
Suksesi i tij në biznes, në Zvicër, i dha atij mundësinë për të krijuar fondacione për zhvillimin e aftësive te vajzat dhe djemtë e rinj në Kosovë./Katror.info