Në ambientet e Federatës së Volejbollit të Kosovës, në prani të drejtuesve të FVK-së dhe përfaqësuesve të programit Sport në Shkolla nga Federata e Sportit Shkollor, u shpërndanë pajisjet sportive për shkollat përfituese në sportin e volejbollit.
Në këtë fazë të programit janë përzgjedhur 14 shkolla nga mbarë Republika e Kosovës, të cilat kanë plotësuar kriteret përkatëse. Nxënësit e këtyre shkollave do të kenë mundësinë të ndjekin kurse falas të volejbollit si orë jashtë-mësimore, duke u afruar edhe më shumë me sportin që sjell energji, disiplinë dhe bashkëpunim.
Projekti “Volejbolli në Shkolla” është pjesë e programit kombëtar Sport në Shkolla, i cili mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet nga Federata e Sportit Shkollor, në partneritet të ngushtë me Federatën e Volejbollit të Kosovës, thuhet në njoftimin e FVK-së.
FVK mbetet e përkushtuar që përmes këtij programi të krijojë gjenerata të reja volejbollistësh, duke ndërtuar bazën për sukseset e ardhshme të sportit tonë. /Katror.info