Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka premtuar se “vendet e punës dhe fabrikat do të rikthehen në SHBA”, pas zbatimit të tarifave të pashembullta anembanë botës në atë që ai e quajti si “Dita e Çlirimit”.
Me tarifat e tij tanimë në zbatim, rritja e çmimeve në produktet si veshmbathjet e deri te pajisjet elektronike mund të jetë barrë e madhe për konsumatorët amerikanë. Një ekspert i teknologjisë ka paralajmëruar se çmimi i telefonit të famshëm, iPhone, mund të arrijë deri në 3,500 dollarë nëse kompania Apple fillon me montimin dhe prodhimin e këtyre telefonave në SHBA.
iPhone i prodhuar në Amerikë mund të kushtojë trefish më shumë se çmimi i tanishëm prej 1,000 dollarësh, për shkak se do të ishte e domosdoshme të imitohej rrjeti i ndërlikuar i prodhimit që ekziston në Azi.
Që nga inaugurimi i Trumpit në fund të muajit janar, aksionet e Appleit kanë humbur rreth 25 për qind të vlerës për shkak të shqetësimeve në lidhje me ndikimin e tarifave në zinxhirin e furnizimit, i cili është shumë i varur nga Kina dhe Tajvani. Rreth 90% e iPhoneve montohen në Kinë.
Prodhimi dhe montimi i pjesëve të telefonave inteligjentë u zhvendos në Azi dekada më parë, pasi kompanitë amerikane u përqendruan kryesisht në zhvillimin e softuerëve dhe dizajnimin e produkteve, të cilat gjenerojnë margjina shumë më të larta fitimi.
Kjo lëvizje e ka ndihmuar Applein të bëhet një nga kompanitë më të vlefshme të botës dhe të konsolidojë pozitën si prodhues dominant i telefonave të mençur./KOHA/Katror.info