akulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës do të marrë pjesë në ekspozitën eksploruese të organizuar nga platforma ndërkombëtare BIG SEE, pas një ftese ekskluzive që i është bërë këtij institucioni arsimor nga organizatorët e ngjarjes, shkruan Katror.info.
Në këtë ekspozitë, studentët e Fakultetit do të prezantojnë vizionet e tyre për të ardhmen urbane të qyteteve të Kosovës, përmes projekteve që adresojnë sfidat bashkëkohore të zhvillimit urban dhe që synojnë të ofrojnë zgjidhje kreative dhe funksionale për transformimin e hapësirave publike. Punimet synojnë gjithashtu të ruajnë karakteristikat unike arkitekturore dhe kulturore të qyteteve, duke reflektuar identitetin lokal në përputhje me qasjet moderne të planifikimit urban.
Ky aktivitet është rezultat i një procesi krijues e kërkimor të udhëhequr nga mësimdhënësit Prof. Asoc. Ardita Byci Jakupi, Prof. Asoc. Rron Beqiri, Asistente Dasara Pula Hamza dhe Rina Brovina.
Fakulteti e ka cilësuar këtë ftesë si një vlerësim për kapacitetet e tij profesionale dhe akademike, si dhe një konfirmim të potencialit krijues të studentëve të tij, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në këtë ngjarje të rëndësishme për arkitekturën dhe urbanizmin në nivel rajonal.
BIG SEE është një platformë që promovon inovacionin, kreativitetin dhe ekselencën në fushat e arkitekturës, dizajnit dhe zhvillimit urban, duke organizuar ekspozita dhe çmime që synojnë të nxjerrin në pah projektet më të spikatura të Evropës Juglindore.
Për më shumë informata rreth programit dhe ekspozitës, vizitoni: BIG SEE.
/Katror.info