E përditësuar 11:06
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar sot raportet për të hyrat maksimale të lejuara për tre operatorët energjetikë KOSTT, KEDS dhe KESCO. Megjithatë, institucioni nuk ka dhënë detaje për ndikimin konkret që këto të hyra do të kenë në tarifat e reja të energjisë elektrike, duke shtuar paqartësitë dhe shqetësimet në publik, shkruan Katror.info.
Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, tha se në vlerësimet për vitin 2025 është parashikuar edhe import i energjisë për shkak të planifikimit të mirëmbajtjes së njësive gjeneruese brenda vendit.
Pepaj foli edhe për procesin e ankesave në lidhje me propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se komentet dhe ankesat e pranuara janë trajtuar me kujdes nga stafi profesional i institucionit. Sipas tij, raporti i përgjigjeve ndaj komenteve tashmë është dorëzuar në bord dhe do të publikohet së shpejti.
“Gjatë gjithë procesit kemi pranuar qindra komente nga qytetarët, shoqëria civile, KOSTT, KEDS, KESCO, Elektrosever, zyra e deputetit Armend Muja, Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Presidenca. Pas përfundimit të konsultimeve publike, ZRRE ka zhvilluar takime bilaterale me të gjitha palët e interesit. Ankesat janë shqyrtuar me kujdes maksimal”, u shpreh Pepaj.
Ai shtoi se pjesa dërrmuese e komenteve të qytetarëve kanë qenë kundërshtuese, duke u përqendruar në ndikimin që rritja e tarifave do të ketë në buxhetin familjar. Ndërkaq, disa nga komentet janë cilësuar jashtë mandatit ligjor të ZRRE-së.
Pepaj bëri të ditur se ZRRE-ja ka kërkuar një takim edhe me iniciativën qytetare “Asnji cent ma shumë”, por nuk ka marrë përgjigje.
Në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për tarifat e reja, qytetarë të shumtë kanë paralajmëruar një protestë që do të mbahet sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Kjo është protesta e dytë e organizuar nga qytetarët dhe shoqëria civile kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
ZRRE ende nuk ka sqaruar publikisht se si miratimi i të hyrave maksimale do të reflektohet në faturat mujore të konsumatorëve./Katror.info
***
Sot ZRRE-ja vendos për çmimin e rrymës, qytetarët protestojnë
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të vendosë sot (e premte), mbi propozimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind. E në të njëjtën ditë, grupi “Asnjë cent më shumë” do të protestojë në qendër të Prishtinës për të dytën herë.
Mbledhja e Bordit të ZRRE-së do të mbahet me fillim prej orës 10:00. Protesta është paralajmëruar për orën 12:00.
Pos vendimit për propozimin për çmimin e ri, do të vendoset edhe nëse çmimet e reja do të hyjnë në fuqi retroaktivisht për muajin prill apo nga 1 maji.
Sipas njoftimit të ZRRE-së dërguar mediave të enjten, në rend dite për mbledhje është pikërisht shqyrtimi i propozimit për miratimin e të hyrave të lejuara maksimale për operatorët.
Propozimi për shtrenjtim ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Në periudhën e dërgimit të komenteve janë paraqitur qindra komente./Katror.info