Një studim i ri ka zbuluar se akti i thjeshtë i shikimit të një vepre arti vizuale mund të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien tonë. Ky efekt pozitiv është vërejtur jo vetëm në galeritë e artit, por edhe në spitale dhe përmes realitetit virtual.
Studimi përfshiu rishikimin e 38 hulumtimeve të mëparshme me një total prej 6 mijë e 805 pjesëmarrësish, i kryer nga një ekip psikologësh nga Universiteti i Vjenës, Trinity College Dublin dhe Universiteti Humboldt i Berlinit, raportoi Neuroscience.
Veprat e përfshira në analizë ishin kryevepra si “The Scream” nga Edvard Munch, “The Starry Night” nga Vincent Van Gogh dhe shumë vepra të tjera moderne dhe bashkëkohore.
Studimi konfirmoi se artet pamore – qofshin piktura figurative apo abstrakte, fotografi, skulptura apo instalacione – ndikojnë pozitivisht në ndjenjën dhe stabilitetin emocional.
“Shpesh mendohet se arti është një luks, por kërkimi ynë tregon se shikimi i veprave të artit mund të ndihmojë në mënyrë domethënëse mirëqenien”, tha MacKenzie Trupp, autori kryesor nga Universiteti i Vjenës.
“Ndërkohë që përfitimet e krijimit të artit janë studiuar gjerësisht, ndikimi i shikimit të veprave të artit ka qenë i nënvlerësuar. Arti vizual është i pranishëm dhe i qasshëm kudo – në muze, galeri, spitale dhe shtëpi”, shpjegoi Claire Howlin, profesoreshë në Shkollën e Psikologjisë, Trinity College Dublin.
Që prej vitit 2019, është rekomanduar përdorimi i qasjeve kreative së bashku me kujdesin klinik. Arti ndihmon në rritjen e vetëvlerësimit dhe ndihmon në ndërtimin e identiteteve pozitive – elementë thelbësorë për përballimin e sfidave të jetës.
Departamentet e shëndetësisë dhe këshillat e arteve në të gjithë Evropën tashmë janë në kërkim të provave cilësore që tregojnë se cilat lloje të artit mund të përdoren për rezultate të ndryshme mjekësore./AP/Katror.info