Instituti Atlas ka vlerësuar si të suksesshme masën e vendosjes së çmimit prej 5 centë për qeset plastike, e cila hyri në fuqi në tetor të vitit 2023. Sipas të dhënave të publikuara, kjo masë ka sjellë një ulje drastike të importit të qeseve plastike nga 1 milion kilogramë në vitin 2021 në vetëm 250 mijë kilogramë në vitin 2024 – një rënie që përkthehet në një kursim prej rreth 1 milion eurosh në vit, përcjell Katror.info.
Sipas Atlas-it, ky zhvillim dëshmon fuqinë e politikave fiskale për të ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit dhe në ndryshimin e sjelljeve të konsumatorëve.
Megjithatë, Instituti ka shprehur shqetësimin për mospublikimin e të dhënave zyrtare mbi prodhimin vendor të qeseve plastike, të cilat, sipas ligjit, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit është e obliguar t’i publikojë deri më 31 mars të çdo viti.
Në reagimin e tyre, Atlas ka theksuar se megjithë suksesin e deritanishëm, qeset plastike njëpërdorimshe duhet të ndalohen plotësisht për të garantuar një mbrojtje më të qëndrueshme të mjedisit dhe për të ulur ndotjen plastike në afat të gjatë./Katror.info