Librat janë si një dritare drejt një bote tjetër – me çdo faqe të re, na prezantojnë me njerëz të rinj, kultura të reja dhe ide të reja. Çdo vit, më 23 prill, UNESCO feston Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit për të njohur fuqinë e librave si një urë lidhëse midis brezave dhe kulturave.
Kjo datë ka një simbolikë të madhe në letërsinë botërore, pasi shënon vdekjen e disa autorëve të njohur, përfshirë William Shakespeare, Miguel de Cervantes dhe Inca Garcilaso de la Vega, shkruan Katror.info.
Rio de Janeiro: Kryeqyteti Botëror i Librit 2025
Çdo vit, si pjesë e festimeve për Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, UNESCO dhe organizatat ndërkombëtare që përfaqësojnë tre sektorët kryesorë të industrisë së librit – botuesit, librashitësit dhe bibliotekat – zgjedhin një Kryeqytet Botëror të Librit. Qytetet e përzgjedhura marrin përsipër të promovojnë librin dhe leximin për të gjitha grupmoshat dhe në të gjitha shtresat e shoqërisë, si në vendin mikpritës ashtu edhe përtej tij.
Deri më sot, UNESCO ka shpallur 25 Kryeqytete Botërore të Librit, nga Madridi, Spanjë, në vitin 2001, deri te Rio de Janeiro, Brazil, në vitin 2025. Këtë vit, qyteti brazilian po zbaton një projekt që thekson se si librat mund të sjellin ndryshim shoqëror – për shembull, përmes përmes aftësimit për të lexuar e shkruar, arsimit dhe zhdukjes së varfërisë – dhe të krijojnë përfitime ekonomike të qëndrueshme.
Dita e parë Ndërkombëtare e Librit u festua më 23 prill të vitit 1995 dhe vazhdon të shënohet në këtë datë çdo vit./Katror.info