Elon Musk ka zbuluar të hënën “Grokipedia”-n, versionin e tij të enciklopedisë online të ndërtuar mbi inteligjencën artificiale të kompanisë xAI.
Projekti synon të rivalizojë Wikipedia-n, të cilën miliarderi e akuzon për “propagandë” dhe mungesë neutraliteti, shkruan New York Times.
Faqja e re, e cila përjetoi një ndërprerje të shkurtër pas lansimit, përmban mbi 800 mijë artikuj të gjeneruar nga AI, krahasuar me pothuajse tetë milionë artikujt e shkruar nga njerëzit në Wikipedia.
Në faqen kryesore të grokipedia.com, përdoruesit gjejnë një dizajn minimalist me një fushë kërkimi që mundëson qasjen në tema të ndryshme – nga profili i vetë Musk, që e përshkruan si “vizionar inovativ dhe provokator të pavarur”, deri te figura politike si Donald Trump apo kandidati për kryebashkiak të New York-ut, Zohran Mamdani.
Grokipedia synon të “pastrojë dezinformimin” që, sipas Musk, ka përfshirë Wikipedia-n.
Por disa përmbajtje në versionin e tij duken të përputhura me pikëpamjet e tij politike dhe ideologjike – për shembull, faqja mbi tranzicionin gjinor thekson se provat mjekësore janë “të kufizuara dhe me cilësi të ulët”, ndryshe nga qëndrimi i Wikipedia-s, që njeh një bazë shkencore shumëvjeçare.
Ekspertë të mediave e shohin projektin si pjesë të përpjekjes së Musk për të ndërtuar një ekosistem mediatik alternativ, që reflekton pikëpamjet e tij.
“Kontrolli mbi dijen ka qenë gjithmonë një formë pushteti”, tha Ryan McGrady, studiues në Universitetin e Massachusetts Amherst.
Kritikat ndaj Wikipedia-s janë shtuar kohët e fundit nga qarqe konservatore, që e akuzojnë për prirje ideologjike.
Vetë bashkëthemeluesi i saj, Jimmy Wales, tha se AI nuk mund të zëvendësojë saktësinë e një platforme të bazuar te redaktimet njerëzore, duke theksuar përpjekjet për të ruajtur neutralitetin dhe për të forcuar besueshmërinë e burimeve.
Ndërkohë, Wikipedia përballet me sfida të reja: trafiku nga përdoruesit njerëzorë ka rënë me 8 për qind këtë vit, ndërsa kërkimet automatike nga sistemet e inteligjencës artificiale janë rritur ndjeshëm.
“Rreziku është që njerëzit t’i marrin për të mirëqena informacionet që u ofrojnë këto mjete”, paralajmëroi Selena Deckelmann, drejtoreshë teknologjike e Wikimedia Foundation. “Vlera e Wikipedia-s ka qenë gjithmonë te mundësia për të kontrolluar burimet”. /AP/Katror.info













