Ylli argjentinas së fundmi zgjati kontratën me klubin amerikan Inter Miami deri në vitin 2028, një sinjal i qartë se ende nuk mendon për tërheqje, pavarësisht se në qershorin e ardhshëm mbush 39 vjeç.
Në një intervistë për NBC News, tetë herë fituesi i Topit të Artë, tha se do të marrë kohë gjatë vitit të ardhshëm për të vlerësuar gjendjen e tij fizike përpara se të vendosë nëse do të marrë pjesë në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
“Është diçka e jashtëzakonshme të jesh pjesë e një Kupe Bote, dhe do ta doja shumë.
Do të doja të isha atje, të jem mirë fizikisht dhe të jap kontribut për ekipin tim, nëse jam pjesë e tij.
Do ta vlerësoj këtë ditë pas dite, kur të fillojë sezoni i ri me Interin, për të parë nëse mund të jem 100% gati dhe i dobishëm për skuadrën, pastaj do të marr vendimin.”
Jam shumë i motivuar, sepse është një Kupë Bote. Po vijmë pas një triumfi të madh, dhe mundësia për ta mbrojtur titullin në fushë është diçka spektakolare.
Të luash me kombëtaren është gjithmonë një ëndërr.”, tha kapiteni i Argjentinës.
Messi tregoi rëndësinë e titulli të kampionit të botës të fituar në Katar.
“Ishte ëndrra e jetës sime. Ishte e vetmja gjë që më mungonte në nivel profesional, sepse kisha pasur fatin të fitoja gjithçka në aspektin individual dhe me Barcelonën.
Mendoj se është ëndrra e çdo futbollisti që të bëhet kampion bote.”, tha kapiteni i Argjentinës.
Messi ka luajtur 195 ndeshje me kombëtaren e Argjentinës dhe ka shënuar 114 gola, një rekord kombëtar.
Nëse do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, ajo do të ishte pjesëmarrja e tij e gjashtë në turneun më të madh të futbollit botëror./AP/Katror.info













