Një 14-vjeçar me origjinë nga Kosova është bërë hero në Gjermani. Len Fejzullahu ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar shokun e shkollës, kur u sulmua nga një person tjetër me çekiç.
“Friedberger Allgemeine” ka shkruar të hënën për rrëfimin e 14-vjeçarit që tregoi guxim të jashtëzakonshëm.
14-vjeçari po qëndronte në oborrin e shkollës me dy shokët e tij, kur një adoleshent iu afrua. Ai po mbante një çekiç si dhe ishte veshur me uniformë ushtarake.
“Fillimisht mendova se ishte i gomës dhe se po përpiqeshin të më bënin shaka”, ka rrëfyer 14-vjeçari. Por ajo që ndodhi pastaj nuk ishte aspak shaka. Dhe po të mos vraponte në ndihmë të shokut të tij dhe të rrezikonte jetën e vet, gjërat do të ishin edhe më keq.
Sulmi ka shokuar Friedbergun në Gjermani në mes të tetorit. Një 15-vjeçar pati sulmuar dy 14-vjeçarë pak para se të niste mësimi, duke e lënduar njërin prej tyre rëndë. Sulmuesi është në mbajtje nën akuzën për tentimvrasje dhe lëndim të rëndë. Hetuesit po mbledhin informata nëse bëhet fjalë për prapavijë ekstremiste./KOHA/Katror.info









