Në një botë ku ritmi i shpejtë shpesh e bën të vështirë gjetjen e paqes së brendshme, disa e kapërcejnë këtë sfidë duke përqafuar natyrën dhe eksplorimin si një mënyrë jetese. Njëri prej tyre është Kujtim Zendeli, i njohur si “Nomad Bozo”, shkruan Katror.info.
Me rrënjë në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut, Kujtimi ka shndërruar pasionin për alpinizmin dhe çiklizmin në një udhëtim të jashtëzakonshëm drejt lartësive fizike dhe shpirtërore.
Për të, malet nuk janë thjesht destinacione, por vendet ku gjen kuptimin më të thellë të jetës.
“Në majë të malit ndihesh i vogël përballë madhështisë së natyrës, por njëkohësisht ndjen një lidhje të thellë me gjithçka përreth,” thotë ai për Albinfo. Çdo ngjitje është një sfidë që jo vetëm kërkon forcë fizike, por edhe vendosmëri mendore dhe shpirtërore.
Nga qetësia te sfidat: Fillimet e një pasioni
Pasioni i Kujtimit për alpinizmin filloi si një përpjekje për të larguar stresin e përditshëm. Me kalimin e kohës, këto ecje të thjeshta u kthyen në një dashuri të madhe për ngjitje ekstreme dhe eksplorime malore. Në malet e Evropës, nga Alpet shqiptare deri te Dolomitet italiane, Kujtimi ka përjetuar bukuri dhe sfida që e kanë forcuar si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht.
“Malet më sfidojnë jo vetëm trupin, por edhe mendjen dhe shpirtin,” shpjegon ai. Një nga përvojat e tij më domethënëse ishte ngjitja në Dolomite, e cila iu kushtua mikeshës së tij Luljeta Ademi me moton: “Sa ka jetë, ka shpresë.” Ky akt solidariteti dhe kuraje frymëzuese pasqyron thellësinë e lidhjes së tij me njerëzit dhe natyrën.
Përveç alpinizmit, Kujtimi është një entuziast i çiklizmit, një sport që për të nuk është vetëm një stërvitje fizike, por edhe një mundësi për të eksploruar botën. Një nga arritjet më të mëdha të tij ishte udhëtimi 4,000 kilometra me biçikletë nëpër Italinë qendrore dhe jugore, një aventurë që e përgatiti për sfidën e Mont Blanc-it dhe ia mësoi durimin, organizimin dhe këmbënguljen.
“Çiklizmi më mban të lidhur me natyrën dhe më ndihmon të përgatitem për sfidat malore. Çdo udhëtim është një mënyrë për të mësuar më shumë për veten dhe botën përreth,” shprehet Kujtimi.
Duke e parë natyrën si një burim paqeje dhe inspirimi, Kujtimi u bën thirrje të rinjve që të përqafojnë aventurën dhe sfidat e sporteve malore. Ai beson se çdo hap në natyrë është një hap drejt zbulimit të vetes.
“Filloni me hapa të vegjël, respektoni natyrën dhe mos harroni se çdo sfidë ia vlen kur ndiqni pasionin tuaj,” thotë ai./Katror.info