Për të arritur një prani të qëndrueshme njerëzore në Hënë, transporti në sipërfaqen e satelitit natyror të Tokës do të jetë një faktor kyç.
Në këtë kontekst, Toyota prezanton një koncept inovativ të njohur si “Baby Lunar Cruiser”. Megjithëse ky koncept aktualisht është vetëm në nivelin e idesë, ky SUV hënor elektrik përfaqëson një vizion futurist të automjeteve të ardhshme hënore, shkruan Katror.info.
Ndryshe nga paraardhësit e tij, koncepti Toyota duket më shumë si një makinë konvencionale, tokësore. Ai ofron një pamje panoramike, një ekran të panelit të kontrollit të realitetit të shtuar dhe një sërë kamerash dhe sensorësh që mund të zbulojnë rreziqet në terrenin hënor, duke përfshirë vrimat e mundshme të madhësisë së kraterit.
Gomat janë, natyrisht, pa ajër, gjë që është e nevojshme në mjedisin e ashpër hënor.
Koncepti i Toyota-s ka motorë elektrikë në rrota, dhe një detaj interesant në automjet është mënyra e drejtimit, sepse në vend të një timoni tradicional, ai funksionon duke përdorur një levë.
SUV-ja është frymëzuar nga origjinali FJ40 Land Cruiser i Toyota-s dhe është një kopje e zvogëluar e dizajnit të Lunar Cruiser të vërtetë, një rover vetë-drejtues me gjashtë rrota i zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze të Kërkimit të Hapësirës Ajrore (JAKSA).

Lunar Cruiser duhet të mbërrijë në Hënë në vitin 2029, dhe autonomia e tij e lëvizjes do të jetë 10,000 kilometra përmes peisazhit hënor. Ai mund të transportojë dy udhëtarë për një periudhë deri në 14 ditë, duke u ofruar atyre hapësirë jetese dhe pune gjatë udhëtimit në sipërfaqen e Hënës.
Automjeti do të fuqizohet nga teknologjia e qelizave të karburantit të Toyota-s.
Ndryshe nga Lunar Cruiser i lartpërmendur, Baby Lunar Cruiser përmban një derë të pasme të ndarë, së bashku me një kornizë fleksibël të hapësirës së ulëseve dhe panele të rregullueshme, duke ofruar shkathtësi të brendshme për misionet hënore.
Ai përfshin gjithashtu një uleëse të pasme të palosshme për udhëtarë shtesë.
Calty Design Research, krahu amerikan i rrjetit global të dizajnit të Toyota-s, është meritor për krijimin e konceptit Baby Lunar Cruiser. Ai kombinon teknologjinë e epokës së re me tiparet e dizajnit të një Land Cruiser klasik.
Një shembull i kësaj është çatia e bardhë, që të kujton çatitë e lyera me ngjyrë të bardhë të Land Cruiser të përdorura për të ftohur kabinën në klimat e largëta dhe të nxehta në Tokë. Kjo përshtatje është veçanërisht i rëndësishme në Hënë, ku temperaturat variojnë nga 121°C në rrezet e diellit direkte deri në -128°C në hije.
Lansimi i Baby Lunar Cruiser përkon me 50-vjetorin e studios së dizajnit CALTY, e cila nga ana tjetër përkon me magjepsjen në rritje të Japonisë për eksplorimin e Hënës.
Vetëm katër vende deri më tani kanë kryer me sukses një ulje të kontrolluar në Hënë, duke përfshirë SHBA-në, ish-Bashkimin Sovjetik, Kinën dhe Indinë. Sipërmarrësi japonez Yusaku Maezawa, i cili u bë i famshëm për videot e tij në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), madje ka rezervuar një udhëtim në orbitën e Hënës në bordin e Starship të Elon Musk, duke nënvizuar interesin në rritje për përpjekjet hënore.
Toyota, në përputhje me misionin e saj global, është e përkushtuar të dërgojë makinat e saj në vende ku nuk kanë qenë kurrë më parë.
“Dërgimi i makinave tona në Hënë është misioni ynë”, thotë shumë qartë Shinichiro Noda, një nga inxhinierët e Toyota-s./Katror.info