Drama “Adolescence” e Netflix ka bërë historinë si shfaqja e parë e transmetuar që ka arritur të udhëheqë renditjet javore të TV-së në Mbretërinë e Bashkuar, duke mposhtur shfaqje të BBC-së si “The Apprentice” dhe “Death in Paradise” në renditjen zyrtare.
Episodi i parë i “Adolescence” u shikua nga 6.45 milionë njerëz gjatë javës së parë.
Ky sukses do të shihet si një tjetër hap përpara në rritjen e Netflix dhe shërbimeve “streaming”.
Episodi i dytë i “Adolescence” u shikua nga 5.94 milionë, ndërsa “The Apprentice” dhe “Death in Paradise” të BBC One u renditën në vendin e tret dhe të katërt në renditjen javore me pothuajse 5.8 milionë shikues secili.
Episodi i tretë i “Adolescence” u rendit i pesti me 5.14 milionë shikues, ndërsa episodi i katërt dhe i fundit u ndoq nga 4.65 milionë.
“Adolescence” u bë shpejt shfaqja më e diskutuar, pas publikimit të saj më 13 mars, kjo pasi që afro 17 milionë shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar kanë abonime në Netflix.
Shfaqja mori reagime nga kritikët dhe shikuesit për historinë e saj të fuqishme, që ndjek një djalë 13-vjeçar i cili arrestohet me dyshimin për vrasjen e një vajze, me dramatizimin që bëhet edhe më intensiv për shkak të xhirimit të çdo episodi në një kuadër të vetëm.
Seriali gjithashtu ka shtyrë para një bisedë kombëtare mbi ndikimin e mediave sociale dhe influencuesve të “manosphere”.
Kryeministri Sir Keir Starmer i tha BBC Radio 5 Live në një intervistë të transmetuar të hënën: “Ka një arsye pse debati është ndezur papritur – shumë njerëz që punojnë me të rinjtë në shkolla ose kudo tjetër, e kuptojnë se mund të kemi një problem me djemtë dhe burrat e rinj që duhet ta adresojmë”./Albanian Post/Katror.info