Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka përsëritur thirrjen drejtuar subjekteve politike në Kosovë për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e së dielës, shkruan Katror.info
AIP kërkon nga partitë politike të respektojnë detyrimet ligjore dhe të shmangin përdorimin apo ekspozimin e të dhënave personale të qytetarëve pa pëlqimin e tyre paraprak. Kjo përfshin ndalimin e komunikimeve të paautorizuara përmes postës elektronike, mesazheve (SMS) dhe thirrjeve telefonike. Agjencia thekson rëndësinë e zbatimit të ligjit për të siguruar mbrojtjen e privatësisë dhe të drejtave të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor
“Agjencia ofron bashkëpunim me të gjitha subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.”, thuhet në njoftimin e AIP-së./Katror.info