Dokumentari “Ajo’Mal”, që pasqyron udhëtimin e 20 vajzave të reja përmes maleve mahnitëse të Kosovës, është përzgjedhur për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mjedisor në Washington, D.C, shkruan Katror.info.
Ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e filmave mjedisorë dhe sjell në skenën botërore histori dhe peizazhe nga mbarë bota.
Dokumentari, i kurar nga Festivali Dokufest, do të përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje prestigjioze, duke sjellë bukurinë natyrore të vendit dhe historitë inspiruese të vajzave që përjetuan këtë aventurë. Ky projekt synon të promovojë Kosovën, të tregojë pasuritë e saj natyrore dhe të nxjerrë në pah forcën dhe shpirtin e rinisë kosovare.
Alpinistja Uta Ibrahimi e ndau lajmin për përzgjedhjen e dokumentarit, përmes një postimi në faqen e Utalaya Foundation.
“Jam shumë e emocionuar të ndaj që ‘Ajo’Mal’ — dokumentari ynë për udhëtimin e 20 vajzave të reja përmes maleve mahnitëse të Kosovës — është përzgjedhur për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mjedisor në Kryeqytetin e Kombit!”.
“Ajo’Mal” nuk është vetëm një dokumentar për natyrën, por një rrëfim i fuqishëm për forcën e grave, frymëzimin dhe lidhjen e tyre me malet. Në një vend ku mundësitë për vajzat dhe gratë në sporte të tilla janë të kufizuara, ky projekt i jep zë historive të tyre, duke i motivuar të sfidojnë kufijtë dhe të ndjekin pasionet e tyre.
Përveç promovimit të peizazheve të Kosovës, dokumentari thekson rëndësinë e aventurës, eksplorimit dhe fuqizimit të grave përmes natyrës dhe alpinizmit./Katror.info