Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka bërë të ditur se kontrolli i vizave nuk përfundon pas lëshimit të tyre, pasi autoritetet amerikane vazhdojnë të monitorojnë mbajtësit e vizave për të siguruar respektimin e ligjeve dhe rregullave të imigracionit në SHBA, shkruan Katror.info.
Sipas njoftimit, çdo shkelje e ligjeve amerikane mund të rezultojë në revokimin e vizës dhe dëbimin e individëve që nuk i respektojnë rregullat.
“Kontrolli i vizave amerikane nuk përfundon pas lëshimit të vizës. Ne vazhdimisht verifikojmë mbajtësit e vizave për t’u siguruar që ata respektojnë të gjitha ligjet dhe rregullat e imigracionit të SHBA – dhe do t’ua anulojmë vizat dhe do t’i dëbojmë nëse nuk i respektojnë,” thuhet në reagimin e ambasadës.
Ky paralajmërim vjen në kuadër të masave të rrepta të SHBA-së për të siguruar që vizat e dhëna të mos keqpërdoren dhe që të gjithë mbajtësit e tyre të përmbushin kriteret ligjore të qëndrimit në Amerikë.
Qeveria e SHBA-së gjithashtu ka filluar një përpjekje të koordinuar ndërinstitucionale për të luftuar mashtrimin dhe për të dhënë fund migrimit të paligjshëm.
Në njoftimin e 19 marsit 2025, Ambasada po ashtu sqaroi se ata që shpallen fajtorë për mashtrim me viza do të përballen me ndalime të përhershme, dhe se ky penalizim do të aplikohet jo vetëm për individët, por edhe për qeveritë që ndihmojnë në procesin e mashtrimit./Katror.info