Filharmonia e Kosovës do të ofrojë një koncert të paharrueshëm të premten, më 31 janar 2025, me yllin italian të flautit Andrea Griminelli në skenë. Nën dirigjimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të interpretojë Koncertin për flaut nr. 1 të Mozartit, një vepër që ka magjepsur adhuruesit e muzikës për shumë vite.
Përveç kësaj, ai do të performojë së bashku me flautisten kosovare Venera Mehmetagaj-Kajtazi, ku do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Domenico Cimarosa, shkruan Katror.info.
Në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethoven-it, Orkestra e Filharmonisë do të sjellë Simfoninë e 8-të të kompozitorit të njohur gjerman, duke e vendosur një tjetër vlerë të madhe në këtë mbrëmje. Për të përmbyllur këtë ngjarje të veçantë, do të ketë premierën e veprës “Rush Hour 2”, e kompozuar nga artisti kosovar Lum Halabaku.
Ky koncert është i veçantë dhe do të shënojë fillimin e aktiviteteve për 25-vjetorin e themelimit të Filharmonisë së Kosovës, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për adhuruesit e muzikës klasike të përjetojnë një mbrëmje të jashtëzakonshme./Katror.info